Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në aksin rrugor Gramsh–Kukur, një segment që prej vitesh përballet me dëmtime dhe vështirësi për qarkullimin.
Sipas informacioneve nga zona, që prej orëve të para të mëngjesit një kamion i ngarkuar me mallra ushqimore për dyqanet e njësisë administrative Kukur ka mbetur i bllokuar në vendin e quajtur “Përroi i Pishave”, pasi një pjesë e rrugës është shembur si pasojë e rrëshqitjes së dherave.
Mjeti ka mbetur i varur në buzë të rrugës, ndërsa drejtuesi i kamionit ka kërkuar ndërhyrje urgjente, pasi ekziston rreziku real që automjeti të rrëshqasë dhe të përfundojë në humnerë.
Për shkak të situatës së krijuar, aksi rrugor është bllokuar plotësisht, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve dhe furnizimin me mallra të zonës.
Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për stabilizimin e segmentit rrugor dhe rikthimin e qarkullimit normal.













