Kryeministri Edi Rama ka prezantuar para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dy dokumente, të cilat, sipas tij, përmbajnë reflektimet mbi situatën politike dhe hapat që duhet të ndërmerren gjatë mandatit të katërt qeverisës.
Pas transmetimit të një videoje që e cilësoi si reflektim për “bulevardin e flamingove”, Rama u shpreh se protestat dhe zhvillimet e muajit qershor duhet të shërbejnë si një moment reflektimi për Partinë Socialiste.
Sipas kryeministrit, gjatë muajit qershor bulevardi u mbush me qytetarë nga kategori të ndryshme shoqërore dhe grupmosha të ndryshme.
Rama tha se dy dokumentet që ka sjellë në mbledhje janë të hapura për diskutim dhe ndryshime. Sipas tij, qëllimi është që ato të përmbushin sa më mirë objektivat e përcaktuara.
Dokumenti i parë, sipas Ramës, është strategjik dhe lidhet me ndryshimin që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje.
Dokumenti i dytë është një aneks që përcakton mënyrën se si Partia Socialiste duhet të mbështesë këtë kthesë gjatë mandatit të ri.
“Kam sjellë sot me vete dhe dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, ndryshuar që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre. I pari është dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje. I dyti është një aneks sesi PS duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt”, tha Rama.
Fjala e kryeministrit vjen në një moment të tensionuar politik, pas protestave të zhvilluara gjatë muajit qershor dhe përplasjeve të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Peleshi: Kuvendi miratoi 131 ligje, sesioni i ardhshëm nis me Konferencën Ndërparlamentare














