Protestat e gjimnazistëve po shtrihen edhe jashtë Tiranës. Një pjesë e nxënësve në Lezhë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugët e qytetit, ndërsa lëvizje të ngjashme raportohen edhe në Kamëz dhe Fier.
Në Lezhë, protestës i janë bashkuar kryesisht nxënës të gjimnazit “Hydajet Lezha”. Ndërkohë, forca të shumta policie janë dislokuar në qytet dhe kanë rrethuar disa prej institucioneve kryesore, në kuadër të masave të shtuara të sigurisë.
Edhe në Fier pritet të zhvillohet një protestë. Policia është pozicionuar në sheshin kryesor të qytetit, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme.
Sipas informacioneve paraprake, disa gjimnazistë në Fier janë paraqitur në shkollë pa çanta, në një lëvizje që lidhet me protestën e paralajmëruar.
Ndërkohë, mësimin e kanë bojkotuar edhe nxënës në Kamëz, të cilët pritet të nisen drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës në kryeqytet.
Lëvizjet e nxënësve vijnë në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë prej disa ditësh, ndërsa thirrjet për pjesëmarrje po përhapen edhe në qytete të tjera të vendit.
Situata në Lezhë dhe Fier po ndiqet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa priten zhvillime të mëtejshme gjatë ditës.
Lexo edhe
Parashikimi i motit për ditën e sotme, i qëndrueshëm e me kthjellime
Horoskopi për ditën e premte, 16 tetor 2026. Parashikimi i yjeve për secilën shenjë














