Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë është mbushur sot me protestues që i janë bashkuar tubimit kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Pas grumbullimit fillestar në sheshin “Skënderbej”, qytetarët kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, duke mbajtur pankarta dhe duke shprehur kundërshtinë e tyre ndaj projektit që, sipas protestuesve, cenon një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të vendit.
Në krye të kolonës së protestuesve janë parë gra dhe fëmijë, në një mesazh simbolik për mbrojtjen e mjedisit dhe të ardhmes së brezave të rinj. Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë, ndërsa pjesëmarrësit kanë kërkuar anulimin e projektit dhe mbrojtjen e plotë të zonës së Zvërnecit.
Prania e forcave të Policisë së Shtetit ka qenë e shtuar përgjatë gjithë itinerarit të protestës, për të garantuar rendin publik dhe mbarëvajtjen e tubimit.
Protesta e sotme është e pesta radhazi dhe vjen në vijim të kundërshtimeve të vazhdueshme publike ndaj projektit të resortit turistik, për të cilin aktivistët dhe banorët pretendojnë se rrezikon ekosistemin dhe statusin e zonës së mbrojtur të Zvërnecit.














