Advertisement

Pas tensioneve të ditëve të fundit mes policisë dhe protestuesve pranë Kuvendit, efektivët e Policisë së Shtetit janë vendosur sërish në gatishmëri për të garantuar rendin në rast të një proteste të mundshme gjatë seancës plenare.

Megjithatë, pavarësisht masave të marra, protesta qytetare duket se ka ndryshuar fokus. Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë vendosur që tubimet të zhvillohen çdo pasdite para Kryeministrisë, duke e konsideruar këtë institucion si adresën kryesore të kërkesave të tyre.

Reklame

Protesta ka hyrë tashmë në ditën e 44-të, që nga nisja e revoltës pas ngjarjeve të 30 majit në Zvërnec të Vlorës.

Në seancën e fundit plenare, një grup qytetarësh u mblodhën para Kuvendit në pritje të mbërritjes së deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë.

Gjatë protestës pati momente tensioni, ndërsa disa protestues hodhën vezë në drejtim të automjeteve të zyrtarëve, duke sjellë përplasje me forcat e policisë të angazhuara për sigurinë e institucionit.

Në protestat e mëparshme, policia shoqëroi dhe arrestoi disa pjesëmarrës, veprime që u pasuan me reagime nga protestuesit dhe tubime para Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, ku u kërkua lirimi i të ndaluarve.

Pas vendimeve të Gjykatës së Tiranës për masat e sigurisë ndaj disa protestuesve, policia vijon të monitorojë situatën pranë Kuvendit dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për zhvillimin e një proteste të re para Kuvendit, por forcat e rendit mbeten në gatishmëri për çdo skenar të mundshëm.

Ndërkohë, sipas organizatorëve, protesta do të vijojë të zhvillohet çdo pasdite para Kryeministrisë, me synimin për të mbajtur të pandërprerë presionin qytetar ndaj qeverisë.

Përplasje për 5 orë para Kuvendit, 18 të shoqëruar dhe 7 policë të lënduar – si u zhvillua protesta

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, pikat kyç të rendi të ditës, opozita paralajmëroi bojkotin

Reklame