Policia e Tiranës ka arrestuar Erisjaldo Gjuta, 22 vjeç, i dashuri i 18-vjeçares që një ditë më parë u vetëplagos në hotelin “Gjuta” në zonën e Saukut. Autoritetet po hetojnë edhe lidhur me armën me të cilën vajza ka qëlluar veten, që dyshohet se ishte në pronësi të të riut.
Sipas njoftimit të Policisë, Gjuta akuzohet për “Moskallëzim të krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në bashkëpunim, dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municionit”. Specialistët e Hetimit të Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 1, e lokalizuan dhe ndaluan menjëherë.
Vajza ka deklaruar se në momentin e vetëplagosjes ndodhej e vetme në dhomë, ndërsa i dashuri ishte jashtë me persona të tjerë. Burime nga policia bëjnë të ditur se 18-vjeçarja ka tentuar më parë të dëmtojë veten edhe përmes medikamenteve, duke shtuar se tani e ka kuptuar gabimin e saj.
Policia vijon hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.














