Një përleshje e dhunshme mes grupeve shqiptare ka tronditur pasditen e së shtunës qytetin Mogliano Veneto në Treviso të Italisë.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi rreth orës 17:00 në një parking në Via Svevo, vetëm pak metra larg një shkolle, ku dy grupe shqiptarësh u përplasën me thika dhe armë zjarri në një përballje që dyshohet se lidhet me larje hesapesh.
Në përleshje mbetën të plagosur tre persona, të cilët u transportuan me urgjencë drejt spitalit. Policia ka bërë të ditur se të plagosurit kanë marrë plagë nga thika dhe plumba, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Forcat e rendit po vijojnë hetimet për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në përplasjen e përgjakshme. Deri më tani, janë sekuestruar tre armë zjarri, ndërsa dyshohet se një tjetër armë është hedhur diku afër vendit të ngjarjes nga një prej autorëve që më pas është larguar.
Sipas raportimeve, disa nga të përfshirët në sherr janë arratisur menjëherë sapo kanë mbërritur patrullat e policisë. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në përleshje.















