Ka përfunduar sot seanca në Gjykatën Kushtetuese lidhur me ankimimin e kryeministrit Edi Rama mbi vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Gjatë seancës janë dëgjuar argumentet e Presidencës, SPAK dhe Qeverisë, ndërsa kryetarja e Gjykatës Kushtetuese deklaroi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor. “Trupi gjyqësor tërhiqet për vendim, data dhe ora do t’u komunikohet sipas parashikimeve ligjore,” tha kryetarja e gjykatës.
Ankimi i kryeministrit Rama, i dorëzuar në nëntor të vitit të kaluar, kërkon që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë nëse masa e pezullimit të vendosur nga GJKKO për Ballukun përbën shkelje të kompetencave kushtetuese të kryeministrit dhe balancës së pushteteve. Rama argumenton se një gjykatë speciale nuk ka juridiksion për të pezulluar një anëtar të Këshillit të Ministrave.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme më 20 nëntor të vitit të kaluar kishte pezulluar Ballukun nga detyra dhe i kishte ndaluar udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën. Ajo është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, duke manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë: Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese. Ndërkohë, akuzave iu është shtuar edhe shkelja e barazisë në tenderat e Unazës së Madhe.
Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar gjithashtu në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e Ballukut. Mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve për këtë çështje pritet të mbahet më 28 janar, pas vendimit që do të japë Kushtetuesja.














