Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thirrur këtë të premte një takim me aleatët opozitarë në selinë e Partisë Demokratike.
Mbledhja ka nisur në orën 11:30 në ambientet e selisë blu, ndërsa mësohet se disa figura dhe subjekte politike nuk i janë bashkuar këtij takimi. Konkretisht, Arlind Qori i “Lëvizjes Bashkë”, Agron Shehaj i partisë “Mundësia”, si dhe Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet” kanë munguar në tryezën e thirrur nga Berisha.
Takimi vjen pas protestës kombëtare të mbajtur më 24 janar para Kryeministrisë, e cila u promovua si një aksion i gjerë opozitar kundër qeverisë. Megjithatë, deri në këto momente nuk janë bërë publike detaje konkrete mbi arsyen apo fokusin e diskutimeve që po zhvillohen gjatë takimit.
Kjo është hera e dytë që Sali Berisha thërret një tryezë me aleatët opozitarë, ndërsa edhe në mbledhjen e parë, Qori, Shehaj dhe Lapaj nuk iu bashkuan këtij formati, duke ngritur pikëpyetje mbi unitetin dhe koordinimin brenda opozitës.














