Sindikatat e pedagogëve kanë vendosur bojkotimin e mësimit në të gjitha universitetet e Shqipërisë, në mbështetje të studentëve që prej ditësh protestojnë. Vendimi u bë publik nga kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Skënder Kovaçi, i cili deklaroi se bojkoti nis sot dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë.
Sipas Kovaçit, vendimi u mor njëzëri nga Kryesia e Sindikatës në mbledhjen e zhvilluar më 20 tetor në sheshin e protestës. Ai theksoi se pedagogët nuk mund të vijojnë procesin mësimor, ndërsa studentët e tyre përballen me dhunë gjatë protestave.
“Përgjigjja që kanë marrë studentët ka qenë heshtja dhe dhuna. Nuk mund të vijojmë mësimin kur studentët tanë dhunohen”, deklaroi Kovaçi.
Pesë kërkesat e pedagogëve
Kreu i Sindikatës tha se bojkoti synon të mbështesë kërkesat e studentëve, të cilat, sipas tij, lidhen me arsimin, shëndetësinë dhe llogaridhënien.
Në deklaratën e tij, Kovaçi kërkoi ndalimin e dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve, hetimin e përdorimit të forcës nga policia dhe vënien para përgjegjësisë të personave që kanë ushtruar ose drejtuar veprime të paligjshme.
Ai kërkoi gjithashtu trajtim të ligjshëm dhe dinjitoz për të gjithë të rinjtë e ndaluar gjatë protestave.
Një tjetër thirrje iu drejtua rektorëve të universiteteve, të cilëve Sindikata u kërkon të respektojnë vendimin për bojkot dhe të mos marrin masa ndaj pedagogëve që marrin pjesë në protesta.
“Nuk duam dialog, por dorëheqje”
Duke folur për qëndrimin e Sindikatës ndaj situatës politike, Kovaçi deklaroi se pedagogët janë në një mendje me studentët dhe se, sipas tyre, dialogu nuk është më zgjidhja e kërkuar.
“Deri sa të realizohen kërkesat e studentëve, nuk duam dialog, por dorëheqje”, u shpreh ai.
Vendimi për bojkotin shënon një tjetër zhvillim në protestat që kanë përfshirë studentët dhe të rinjtë në vend, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zbatohet në universitete dhe çfarë qëndrimi do të mbajnë rektoratet ndaj vendimit të Sindikatës.
Lexo edhe
Pedagogët në krah të studentëve, protesta çdo ditë në orën 10:00: “Rama të japë dorëheqjen”
Dita e tetë e protestave në Tiranë, nga refuzimi i dialogut te molotovët dhe gazi lotsjellës














