Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me drejtuesit e sistemit bankar, pas dëmtimeve të raportuara gjatë protestave të fundit në Tiranë. Sipas të dhënave të bëra publike, janë dëmtuar 38 degë bankare dhe 42 bankomate.
Gjatë takimit, Rama deklaroi se qeveria nuk do të bëjë lëshime përballë akteve të dhunës ndaj institucioneve, bizneseve, bankave dhe forcave të Policisë.
Kryeministri e cilësoi dhunën si të orkestruar dhe pretendoi se ajo lidhet me elementë të jashtëm, të cilët, sipas tij, synojnë destabilizimin e Europës. Ai përmendi gjithashtu lëvizjen “Antifa” dhe deklaroi se në protestë ka pasur persona të ekstremizuar, si dhe elementë të kriminalitetit.
“Nga ne s’ka asnjë lëshim. Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të jashtëm”, u shpreh Rama, duke shtuar se dhuna nuk duhet ngatërruar me qëndrimin e studentëve që, sipas tij, nuk janë nxitës apo mbështetës të saj.
Sejko: Depozitat e qytetarëve janë të sigurta
Në të njëjtin takim, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, garantoi se depozitat e qytetarëve janë të sigurta dhe se shërbimet bankare do të vijojnë normalisht.
Sejko theksoi se sistemi bankar ka likuiditet të mirë dhe se Banka e Shqipërisë do të vijojë operacionet për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve dhe bizneseve.
“Pavarësisht tensionit, depozitat e qytetarëve janë të sigurta. Bankat janë me likuiditet shumë të mirë”, deklaroi Sejko.
Guvernatori paralajmëroi gjithashtu se dëmtimi i bankave mund të sjellë pasoja përtej institucioneve të prekura, duke ndikuar në aktivitetin ekonomik dhe te bizneset.
Takimi u zhvillua në një klimë tensionesh pas protestave, ndërsa autoritetet kanë vënë në fokus dëmet ndaj objekteve bankare dhe garantimin e vijimësisë së shërbimeve financiare.
Lexo edhe
Pedagogët në krah të studentëve, protesta çdo ditë në orën 10:00: “Rama të japë dorëheqjen”
Ironi para Kryeministrisë: Lëmoshë mbi karriget ku Rama ftoi protestuesit për dialog














