Kompania investuese e lidhur me biznesmenin amerikan Jared Kushner ka reaguar për herë të parë pas protestave të vazhdueshme kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës.
Reagimi erdhi pasi Radio Evropa e Lirë iu drejtua kompanisë Affinity Partners, e lidhur me projektin që ka shkaktuar debat publik dhe kundërshtime nga banorë, aktivistë dhe organizata mjedisore.
Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC, deklaroi se kompania mbetet e angazhuar për zhvillimin e projektit duke respektuar procedurat dhe interesin e komunitetit lokal.
“Fokusi ynë mbetet te kujdesi i përgjegjshëm, përmirësimi mjedisor, krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale”, u shpreh ai.
Sipas Abehserës, investitorët e konsiderojnë projektin si një mundësi për të krijuar një destinacion turistik të standardeve ndërkombëtare dhe një nga investimet më të mëdha private të realizuara ndonjëherë në rajon.
“Jemi të entuziazmuar për mundësinë për të krijuar një destinacion të klasit botëror dhe për të realizuar një nga investimet më të mëdha private në historinë e rajonit”, shtoi ai.
Projekti në Zvërnec ka nxitur protesta prej disa ditësh, fillimisht në zonën e Vlorës dhe më pas edhe në Tiranë. Kundërshtarët e tij kërkojnë anulimin e investimit, duke ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis, statusin e zonës së mbrojtur, transparencën e procedurave dhe çështjet e pronësisë së tokës.
Ndërkohë, organizatat mjedisore kanë nisur edhe një peticion online për të kundërshtuar zhvillimin e projektit në zonën Pishë Poro-Nartë, e cila konsiderohet një habitat me rëndësi të veçantë natyrore.
Debati është intensifikuar edhe pas konfirmimit nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) se ka nisur një hetim lidhur me çështjen e Zvërnecit. Deri tani, SPAK nuk ka bërë publike detaje mbi objektin e hetimit.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vazhdimisht projektin, duke deklaruar se ai nuk do të ndalet për sa kohë ai është në krye të qeverisë. Rama ka sqaruar gjithashtu se Jared Kushner nuk ka kërkuar statusin e investitorit strategjik për projektin në Zvërnec.
Projekti ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare që prej vitit 2024, kur Kushner bëri publike planet për ndërtimin e hoteleve dhe qindra vilave turistike në zonën e Zvërnecit, ndërsa kompania e tij mori më vonë statusin e investitorit strategjik për një investim të veçantë në ishullin e Sazanit.















