Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët lidhur me zbatimin e mekanizmit për përllogaritjen e pagave të magjistratëve.

Sipas shoqatave, duke nisur nga 1 gushti 2026, ka hyrë në fuqi mekanizmi i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik ndryshimet e nevojshme ligjore.

Reklame

Shoqatat rikujtojnë se Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15, datë 17 shkurt 2026, shfuqizoi ndryshimet ligjore që, sipas tyre, cenonin statusin financiar të magjistratëve përmes një uljeje të tërthortë të pagave.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për miratimin e ndryshimeve përkatëse në legjislacion.

Sipas deklaratës së përbashkët, ky afat ka përfunduar pa miratimin e ndryshimeve të kërkuara.

Për këtë arsye, duke nisur nga 1 gushti 2026, zbatohet automatikisht formula e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila lidhet me nivelin e pagës së funksionarëve të administratës së lartë publike, sipas referimit të vendimit nr. 35/2022.

Shoqatat bëjnë të ditur se mekanizmi do të ketë efekt edhe për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.

Në deklaratën e tyre, organizatat e magjistratëve theksojnë se do të vijojnë të kërkojnë zbatimin e plotë dhe korrekt të vendimit nr. 15/2026.

Sipas tyre, çështja nuk lidhet vetëm me të drejtat financiare të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe me respektimin e Kushtetutës dhe të vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese.

“Zbatimi i tyre është një detyrim për çdo institucion dhe një garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Shoqatat e magjistratëve kanë deklaruar gjithashtu se do të ndjekin zbatimin e vendimit dhe kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në mënyrë konstruktive në procesin e rregullimit të pagave.

Deklarata:

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në mbrojtje të statusit të magjistratit dhe standardeve kushtetuese, kanë ndjekur me përgjegjësi procesin lidhur me rregullimin e pagave të magjistratëve.

Pas kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit, me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026, shfuqizoi ndryshimet ligjore që cenonin statusin financiar të magjistratëve përmes një uljeje të fshehur të pagës dhe përcaktoi kriteret për miratimin e një rregullimi të ri.

Gjykata Kushtetuese detyroi Kuvendin të miratonte ndryshimet përkatëse deri më 31.07.2026 dhe përcaktoi se, në rast mosveprimi, do të zbatohej formula e përllogaritjes së pagave sipas funksionarit të administratës së lartë publike, referuar vendimit nr. 35/2022.

Pavarësisht afatit të përcaktuar, nga ana e Kuvendit nuk u miratuan ndryshimet ligjore të nevojshme. Për rrjedhojë, duke filluar nga data 01.08.2026, zbatohet mekanizmi i përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese, sipas formulës së referuar në vendimin nr. 35/2022, me efekt edhe për periudhën 01.04.2023–31.07.2026.

Shoqatat e magjistratëve mbeten të vendosura për të kërkuar zbatimin e plotë dhe korrekt të vendimit nr. 15/2026. Ky proces nuk lidhet vetëm me respektimin e të drejtave të magjistratëve, por mbi të gjitha me respektimin e Kushtetutës dhe të vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese. Zbatimi i tyre është një detyrim për çdo institucion dhe një garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës.

Shoqatat tona mbeten të angazhuara për të ndjekur zbatimin e këtij vendimi dhe rikonfirmojnë gatishmërinë për të kontribuar në mënyrë konstruktive në këtë proces.

Lexo edhe:

Gjykata e Lartë cakton datën për rishqyrtimin e masës së Erion Veliajt

Gjykata e Selanikut vendos të ekstradojë biznesmenin Ilir Shtufi

Reklame