Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka përfunduar këtë të hënë shqyrtimin paraprak të dosjes penale në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, një nga çështjet më të rënda që ka prekur drejtpërdrejt pushtetin vendor dhe elitën politike në vend.
Në përfundim të seancës, GJKKO ka vendosur që më 9 shkurt të shpallë vendimin nëse dosja do të kalojë ose jo për gjykim, duke e lënë në pritje një proces që pritet të ketë ndikim të fortë politik dhe institucional.
Seanca u shoqërua me tensione dhe debate të forta. I pranishëm në sallë, Erion Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, duke pretenduar se nuk i ishte garantuar e drejta për një mbrojtje efektive. Sipas tij, procesi po zhvillohej pa u dëgjuar argumentet e mbrojtjes.
Avokatja e tij, Valentina Teodoresku, deklaroi se kishte pasur vetëm një orë kohë për t’u takuar me klientin në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit në Durrës, çka sipas saj pamundësoi njohjen e plotë me aktet procedurale. Për këtë arsye, mbrojtja kërkoi shtyrjen e seancës, por kërkesa u rrëzua nga GJKKO.
Gjyqtarja Etleva Deda vlerësoi se faza e mbrojtjes ishte e ezauruar dhe kaloi në konkluzionet përfundimtare. Pas diskutimeve, Veliaj deklaroi se, përderisa sipas tij nuk po dëgjohej, do të largohej nga salla e gjyqit.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, ndërsa SPAK ka ngritur ndaj tij 13 akuza të rënda penale, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, thelbi i çështjes lidhet me nëntë raste korrupsioni pasiv, ku disa kompani private dyshohet se kanë ofruar përfitime të parregullta në formën e parave dhe pasurive të paluajtshme. Në këmbim, sipas SPAK, këto subjekte kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës, duke ngritur dyshime serioze për një skemë sistematike abuzimi me pushtetin.
Në këtë dosje është përfshirë edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, e cila akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv në nëntë raste, në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, në të njëjtin kontekst hetimor.
Vendimi i 9 shkurtit pritet të jetë një test i rëndësishëm jo vetëm për fatin penal të kryebashkiakut të Tiranës, por edhe për besueshmërinë e drejtësisë së re përballë figurave të larta të pushtetit.















