Ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë të mbushin rrugët e Tiranës dhe reagimi qytetar mbetet i fortë, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta nisë ditën me një mesazh urimi për socialistët në 35-vjetorin e Partisë Socialiste.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë iu drejtua anëtarëve të PS-së si “familja jonë e madhe politike”, duke theksuar se mbetet i palëkundur në atë që e cilësoi si mision historik për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian deri në vitin 2030.

Reklame

“Mirëmëngjes dhe me urimin për çdo anëtar e anëtare të familjes sonë të madhe politike, në këtë 35-vjetor të Partisë Socialiste, si edhe me bindjen e patundur në misionin tonë historik për të ngjitur Shqipërinë 2030 në majën e Europës së Bashkuar, ju dëshiroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Mesazhi vjen në një klimë të tensionuar politike, ku prej ditësh mijëra qytetarë kanë dalë në protesta duke kërkuar ndryshim politik dhe duke artikuluar kritika të forta ndaj qeverisë. Megjithatë, në vend të një reagimi ndaj zhvillimeve të fundit, kryeministri ka zgjedhur të fokusohet te përvjetori i forcës së tij politike dhe te objektivi i integrimit europian.

Postimi i Ramës pritet të ngjallë reagime të reja në rrjetet sociale, teksa debati politik në vend mbetet i ndezur mes protestave të opozitës dhe qëndrimit të mazhorancës se rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e pandalshme.

Reklame