Advertisement

Shefi i shërbimit të Anestezi–Reanimacionit në QSUT, Krenar Lilaj, ka reaguar lidhur me ngjarjen e regjistruar mëngjesin e sotëm, ku një i dënuar me burg humbi jetën pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në një prononcim për mediat, Lilaj ka deklaruar se i dënuari Mihal Mërkuri ndërroi jetë për shkak të gjendjes së tij shumë të rëndë shëndetësore, duke mohuar që vdekja të ketë ardhur si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike në spital.

Reklame

“Sistemi nuk cënoi kujdesin e pacientëve. I dënuari vdiq pasi ishte në gjendje të rëndë me hemorragji. Furnizimi me energji elektrike u rikthye rreth orës 09:45”, – u shpreh Lilaj.

I pyetur nga gazetarët lidhur me mosfunksionimin e gjeneratorëve gjatë ndërprerjes së energjisë, shefi i Anestezi–Reanimacionit u shpreh se kjo çështje nuk është në kompetencën e tij.

“Kjo nuk është një pyetje që më përket mua, por instancave të tjera”, – tha ai.

Sipas të dhënave zyrtare, i dënuari Mihal Mërkuri ishte shtruar në QSUT më datë 18.01.2026, rreth orës 20:21, dhe i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një hemorragjie të brendshme (hemoperitoneum).

Pas ndërprerjes së energjisë elektrike në këtë qendër spitalore, situatë që u raportua se preku edhe shërbimin e kujdesit intensiv, pacienti ndërroi jetë. Sipas Policisë, vdekja ka ardhur si pasojë e një arresti kardiak dhe hemorragjisë në kokë.

Autoritetet po vijojnë verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe funksionimin e sistemeve rezervë të energjisë në QSUT.

Reklame