Meta po shton një funksion të ri për përdoruesit e WhatsApp, duke mundësuar nisjen e bisedave “incognito” me chatbot-in Meta AI.
Sipas kompanisë, këto biseda private nuk mund të shihen nga askush dhe nuk ruhen pasi përdoruesi mbyll bisedën.
Përdoruesit do të mund të aktivizojnë modalitetin “incognito” përmes ikonës së dedikuar në bisedat individuale me Meta AI. Funksioni pritet të jetë i disponueshëm gjatë muajve të ardhshëm si në WhatsApp, ashtu edhe në aplikacionin Meta AI.
Meta bëri të ditur se mesazhet do të zhduken automatikisht sapo përdoruesi të mbyllë bisedën. Gjithashtu, sesioni do të përfundojë edhe në rast se aplikacioni mbyllet ose telefoni kyçet, ndërsa Meta AI nuk do të ruajë kontekstin e asaj bisede.
“Njerëzit po fillojnë ta përdorin AI për gjithçka, përfshirë disa nga mendimet e tyre më private, qoftë për çështje financiare apo shëndetësore, apo për këshilla se si t’i përgjigjen një mesazhi të vështirë nga një mik ose koleg. Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme t’u japim njerëzve mundësinë që këto pyetje t’i bëjnë sa më privatisht të jetë e mundur,” deklaroi për TechCrunch, Alice Newton-Rex.
Meta prej kohësh po zhvillon infrastrukturën për përdorimin e AI në mënyrë të sigurt brenda WhatsApp-it. Vitin e kaluar kompania prezantoi sistemin e saj të përpunimit privat, që synon zhvillimin e funksioneve me inteligjencë artificiale pa cenuar enkriptimin “end-to-end”.
Ndërkohë, kompania po punon edhe për funksionin e ardhshëm “Side Chat”, i cili do t’u lejojë përdoruesve të përdorin Meta AI brenda bisedave në grup ose individuale për të bërë pyetje dhe për të marrë përgjigje privatisht, pa njoftuar pjesëmarrësit e tjerë të bisedës.














