Advertisement

Një marrëveshje që po zhvillohet në heshtje mes Postës së Kosovës dhe kompanive të sigurimeve mund të ndryshojë mënyrën se si shiten policat e sigurimit në Kosovë – dhe njëkohësisht të hapë një debat serioz për konkurrencën, transparencën dhe të ardhmen e rreth 1,500 agjentëve të sigurimeve.

Sipas informacioneve, ditët e fundit janë intensifikuar takimet mes Postës së Kosovës dhe kompanive të sigurimeve, me synimin që policat e sigurimit të shiten përmes sporteleve të Postës.

Reklame

Të njëjtat burime tregojnë se Posta është licencuar për aktivitet në fushën e ndërmjetësimit të sigurimeve, ndërsa po diskutohet që ajo të shërbejë si kanal shitjeje për disa kompani sigurimesh. Po përflitet gjithashtu për një komision prej 3 deri në 5 për qind për policë. Gjithësesi këto të dhëna kërkojnë konfirmim zyrtar.

Por nëse marrëveshja është duke marrë formë, pyetjet që ajo hap janë shumë më të mëdha se një marrëveshje e zakonshme tregtare.

Një sportel, shumë kompani – kush e kontrollon tregun?

Këtu hyn në lojë edhe Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës. Si mundet një subjekt i vetëm, në këtë rast Posta e Kosovës, të përfaqësojë njëkohësisht dhjetë kompani sigurimesh në shitjen e policave? A është kjo mënyra se si duhet të funksionojë një treg i lirë?

Në një treg konkurrues, kompanitë duhet të përpiqen të fitojnë konsumatorin përmes çmimit, cilësisë, kushteve dhe shërbimit.

Çfarë ndodh kur disa kompani që normalisht konkurrojnë me njëra-tjetrën e përdorin të njëjtin kanal të shitjes?

Kush vendos se cilën policë do t’ia ofrojë qytetarit punëtori në sportel?

A do t’i prezantohen qytetarit të gjitha kompanitë në kushte të barabarta?

A do të ketë përparësi një kompani ndaj tjetrës?

A do të ketë kritere transparente për renditjen e ofertave?

Dhe mbi të gjitha:

A do të jetë qytetari ai që zgjedh, apo do t’i serviret një ofertë e përcaktuar paraprakisht?

Këto janë pikërisht pyetje që nuk mund të mbeten vetëm brenda zyrave të Postës dhe kompanive të sigurimeve.

Si do të ndahet tregu?

Një pyetje edhe më e rëndësishme është se si do të ndahet volumi i policave të shitura përmes Postës ndërmjet kompanive të sigurimeve.

Nëse dhjetë kompani hyjnë në të njëjtin kanal, sipas cilit mekanizëm do të ndahet biznesi?

Me përqindje? Me kuota? Me rotacion? Sipas numrit të policave? Sipas marrëveshjeve individuale? Apo sipas ndonjë formule tjetër?

Nëse ekziston një marrëveshje e tillë, publiku ka të drejtë të dijë si funksionon mekanizmi i saj dhe kush e përcakton atë.

Një gjë është që kompanitë të konkurrojnë për konsumatorin, krejt tjetër do të ishte nëse do të krijohej një mekanizëm përmes të cilit një kanal i vetëm do të ndikonte në mënyrën se si ndahet tregu ndërmjet konkurrentëve.

Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës ndalon marrëveshjet dhe praktikat e bashkërenduara që synojnë ose kanë efekt në kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës, përfshirë edhe ndarjen e tregjeve. Autoriteti i Konkurrencës duhet të ketë një rol në shqyrtimin e çdo mekanizmi që mund të ndikojë në strukturën e këtij tregu.

A po krijohet një kanal i ri apo një ndarje e re e tregut? Kjo është një tjetër pyetj eqë duhet të marrë përgjigje. Jo sepse Posta nuk duhet të zhvillojë aktivitet ekonomik. Jo sepse kompanitë e sigurimeve nuk duhet të kërkojnë mënyra më efikase për shitjen e produkteve, por sepse çdo model i ri duhet të jetë transparent, i barabartë dhe në përputhje me rregullat e konkurrencës.

Vetë BQK-ja dhe Autoriteti i Konkurrencës kanë bashkëpunuar më parë lidhur me konkurrencën në tregun e sigurimeve; BQK ka bërë publike edhe rekomandime të Autoritetit të Konkurrencës për liberalizimin e tregut dhe krijimin e presionit konkurrues ndërmjet kompanive të sigurimit.

Atëherë pyetja është e pashmangshme: Nëse synimi është një treg më konkurrues, pse duhet që disa kompani konkurruese të përqendrojnë shitjen e tyre përmes një kanali të vetëm?

Ku është BQK-ja në këtë mes?

BQK-ja ka përgjegjësi ekskluzive për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e ndërmjetësuesve në sigurime.

Rregullorja për licencimin e ndërmjetësuesve përcakton kërkesat që duhet t’i plotësojë një subjekt për t’u licencuar si kompani brokerimi. Nëse Posta tashmë është licencuar për aktivitetin konkret që po përflitet, BQK duhet të sqarojë: Kur është dhënë licenca? Për çfarë aktiviteti konkret? Cilat janë kufizimet e licencës? A lejohet Posta të përfaqësojë njëkohësisht disa kompani sigurimesh? Çfarë rregullash zbatohen për mënyrën se si u prezantohen konsumatorëve ofertat e kompanive të ndryshme? Dhe një pyetje tjetër, ndoshta edhe më e rëndësishme: A ka bërë BQK ndonjë vlerësim të ndikimit që ky model mund të ketë në konkurrencën dhe në rrjetin ekzistues të agjentëve?

1500 agjentë në pikëpyetje

Nëse një pjesë e madhe e shitjes së policave zhvendoset te sportelet e Postës, pasoja potenciale nuk është vetëm ndryshimi i kanalit të shitjes. Është edhe ndikimi mbi njerëzit që sot jetojnë nga ky aktivitet. Sipas të dhënave që qarkullojnë në sektor dhe që kërkojnë verifikim, bëhet fjalë për rreth 1,500 agjentë. Për secilin prej tyre, pas një kontrate pune apo aktiviteti profesional është një familje.Prandaj, nëse një model i ri biznesi mund të ndikojë në një numër kaq të madh agjentësh, atëherë duhet të ketë një përgjigje edhe për pyetjen: A është bërë ndonjë analizë sociale dhe ekonomike para se të ndërmerret ky hap?Sepse një “kursim” për një kompani mund të jetë një humbje e të ardhurave për një familje.

Nga kriza në krizë

Kosova nuk ka nevojë që vendimet e mëdha ekonomike të merren në heshtje dhe pasojat të diskutohen vetëm pasi ato të jenë realizuar. Nëse qëllimi i marrëveshjes është ulja e kostove të shitjes së policave, le të bëhen publike shifrat: Sa kushton sot rrjeti i agjentëve? Sa do të kushtojë Posta? Sa është komisioni prej 3–5 për qind që po përflitet? Sa policë pritet të shiten? Sa do të jenë të ardhurat e Postës? Sa pritet të kursejnë kompanitë?

Dhe më e rëndësishmja: Sa pritet të humbin agjentët? Kush po e shtyn projektin? Kush e ka iniciuar këtë model? Publiku duhet t’i dëgjojë përgjigjet drejtpërdrejt nga personat që marrin pjesë në proces. Në redaksi kanë arritur edhe pretendime se, pas një marrëveshjeje të tillë, një vend pune në Postën e Kosovës mund të kushtojë deri në 50 mijë euro. Për këtë arsye duhet të hetohet. Si bëhen rekrutimet? Cilat janë kriteret? Kush i merr vendimet? A ka mekanizma transparentë të konkurrimit? Dhe a ekziston ndonjë dëshmi për pagesa të paligjshme për vende pune? Nëse përgjigjja është jo, institucionet mund ta mohojnë qartë. Nëse ka prova, atëherë ato duhet të dokumentohen dhe t’u dorëzohen organeve kompetente. Autoriteti i Konkurrencës duhet ta bëjë pyetjen e vet

Kjo çështje nuk mund të mbetet vetëm në mes të Postës, BQK-së dhe kompanive të sigurimeve. Autoriteti i Konkurrencës duhet të pyesë: A po krijohet një mekanizëm që rrit konkurrencën apo një mekanizëm që e përqendron shitjen? A do të kenë kompanitë e sigurimeve qasje të barabartë në kanalin e Postës? Si do të ndahet volumi i policave? A do të ketë kritere të njëjta për të gjitha kompanitë? A ka rrezik që marrëveshjet ndërmjet kompanive të ndikojnë në ndarjen e tregut?

Dhe, mbi të gjitha: A është ky vërtet një treg i lirë ku ofertat konkurrojnë për konsumatorin, apo po ndërtohet një sistem ku tregu i shitjes së policave përcaktohet paraprakisht përmes një marrëveshjeje?

Bomba është ende në tokë

Nëse marrëveshja nuk është nënshkruar ende, pikërisht tani është momenti që institucionet të flasin. Pas nënshkrimit, debati mund të jetë shumë më i vështirë për t’u korrigjuar. Një kanal i ri shitjeje mund të jetë i ligjshëm. Edhe një marrëveshje komerciale mund të jetë e ligjshme. Edhe Posta mund të ketë të drejtë të zhvillojë aktivitetin për të cilin është licencuar. Por ligjshmëria e një kanali nuk e mbyll pyetjen e konkurrencës, transparencës dhe interesit të konsumatorit. Dhe nëse një marrëveshje prek potencialisht 1,500 agjentë dhe familjet e tyre, atëherë ajo meriton të shihet nga publiku para se të bëhet fakt i kryer.

Këto janë shqetësime që Posta, kompanitë e sigurimeve, BQK-ja dhe Autoriteti i Konkurrencës duhet t’i përgjigjen para çdo nënshkrimi.

Lexo edhe

Mblidhet Kuvendi në Kosovë, pritet deklarata për aktgjykimin e Hagës

Kosovë/ A do të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale?

Reklame