Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se reformat fiskale do të krijojnë një sistem më të drejtë dhe konkurrues.
Sipas tij, sistemi do të harmonizohet plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.
Malaj tha se rritja ekonomike dhe menaxhimi i financave publike do të rrisin të ardhurat buxhetore.
Buxheti synon 10 miliardë euro
Sipas ministrit, të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë 10 miliardë euro në vitin 2030.
“Rritja e të ardhurave parashikohet të jetë 311 milionë euro në vit. Kjo do të vijë kryesisht nga zgjerimi i bazës tatimore”, deklaroi Malaj.
“Paqja Fiskale” për qytetarët dhe bizneset
Malaj tha se “Paqja Fiskale” do të sjellë lehtësime për qytetarët dhe bizneset.
Sipas tij, gjatë viteve 2026-2030 do të falen detyrime tatimore dhe doganore të prapambetura.
Qëllimi është krijimi i një marrëdhënieje të re mes administratës dhe tatimpaguesve.
Ndërkohë, politika e taksës 0% për bizneset e vogla do të vijojë deri në vitin 2029.
Ndryshime për fermerët
Reforma fiskale do të prekë edhe sektorin e bujqësisë.
Sipas ministrit, skema e TVSH-së për fermerët do të rishikohet. Synimi është përafrimi me praktikat e Bashkimit Evropian.
Fermerët pritet të përfitojnë kompensim deri në 10% të TVSH-së.
Kompensimi do të aplikohet për blerjet e mallrave dhe shërbimeve që lidhen me zinxhirin e prodhimit.
Rivlerësim i pasurive me taksë 5%
Reforma e tatimit mbi pasurinë do të bazohet në vlerën reale të pronës.
Për këtë qëllim do të përdoret një metodologji e re për çmimet e referencës.
Qeveria synon të rrisë drejtësinë fiskale dhe të ulë informalitetin.
Po ashtu, do të hapet një proces i ri për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.
Për individët dhe personat juridikë do të aplikohet një normë e reduktuar tatimore prej 5%.
Sipas ministrit, kjo masë synon të nxisë deklarimin e saktë të vlerës së pronave.
Malaj: 10 miliardë euro të ardhura në buxhet në 2030-ën












