Advertisement

Kryeministri Edi Rama i kushtoi një pjesë të gjatë të podcastit “Flasim” protestave kundër projektit në Nartë dhe Zvërnec, duke përdorur një referencë nga letërsia botërore për të shpjeguar, sipas tij, rrezikun e manipulimit të qytetarëve përmes algoritmeve dhe narrativave të rreme.

Në fjalën e tij, Rama solli historinë e personazhit Fabrice del Dongo nga romani i Stendhalit, një i ri i frymëzuar nga legjenda e Napoleonit që shkon në betejën e Waterloo-së me idealizëm, por përballet me realitetin e ashpër të luftës.

Reklame

Sipas kryeministrit, kjo histori shërben si metaforë për njerëzit që sot përfshihen në protesta me bindje të sinqerta, por që mund të bëhen pjesë e kauzave apo interesave të tjera.

“Është e rrezikshme që idealet t’i lësh të ndërtohen mbi iluzione apo, më keq akoma, t’i lësh në duar që mund të kthehen në pengmarrëset e tua”, tha Rama.

Kryeministri u ndal gjatë tek ndikimi i rrjeteve sociale dhe algoritmeve, duke argumentuar se ato krijojnë realitete paralele dhe përhapin emocione, zemërim e frikë më shpejt se faktet.

Ai deklaroi se shumë qytetarë që marrin pjesë në protesta besojnë se po mbrojnë natyrën, flamingot apo zonën e Nartës, por shtroi pyetjen se “nga kush po i mbrojnë”.

“Po i mbrojnë nga unë, po i mbrojnë nga ne? Që natyrën, mbrojtjen e natyrës, zonat e mbrojtura, ndalimin e gjuetisë së paligjshme dhe prerjen e pyjeve i kemi pasur lajtmotiv të punës sonë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë paralajmëroi se emocionet e ushqyera nga “gjysmë të vërteta” dhe informacionet e shkëputura nga konteksti mund ta kthejnë idealizmin në një instrument në duart e interesave të tjera.

Sipas tij, një pjesë e debatit rreth Nartës është ndikuar edhe nga zhvillime dhe përplasje politike që nuk kanë lidhje me Shqipërinë.

“Flamingot nuk kanë nevojë për turma të rrëmbyera nga histeria e algoritmit dhe të nxitura nga interesa të tjera që nuk janë fare interesat tona”, deklaroi kryeministri.

Në përfundim, Rama theksoi se qeveria është e gatshme të diskutojë mbi projektin, por kërkoi që debati të mbështetet te faktet dhe jo te, siç u shpreh ai, “realitete të krijuara nga algoritmet”.

“Ne jemi këtu për të bërë së bashku më të mirën për Shqipërinë, për natyrën, për Zvërnecin, për flamingot, por ama për të bashkëpunuar me realitetin, jo jashtë realitetit”, përfundoi Rama.

Reklame