Një operacion i policisë në provincën e Trevizos, në Itali, ka çuar në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë të dyshuar për trafik droge. Të arrestuarit, të moshës 23 dhe 29 vjeç, u kapën në flagrancë teksa shisnin kokainë tek blerës italianë në zonat e Trevisos dhe Sileas.
Sipas mediave italiane, të dy përdornin automjete të regjistruara në emër të personave të tjerë dhe linja telefonike të dedikuara për shpërndarjen e drogës, në përpjekje për t’i shpëtuar hetimeve të policisë.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan rreth 60 gramë kokainë dhe mbi 20 mijë euro cash.
Arrestimi i parë ka të bëjë me 23-vjeçarin shqiptar, i cili u ndalua në Via delle Marie në Treviso, ndërsa po i shiste një dozë kokaine një italiani kundrejt shumës prej 60 eurosh. Kontrolli i policisë zbuloi paratë e transaksionit, ndërsa nën karrocerinë e automjetit u gjet një enë metalike me magnet, ku ishin fshehur 34 doza kokaine gati për shitje.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku policia gjeti 16 mijë euro të fshehura brenda një këllëfi jastëku divani.
Po atë ditë u arrestua edhe shqiptari tjetër, 29 vjeç, në Via Treviso të Sileas, teksa i shiste pesë doza kokaine një blerësi italian për 300 euro.
Edhe në këtë rast, policia zbuloi një enë metalike me magnet të fshehur poshtë automjetit, ku ndodheshin 23 doza kokaine të gatshme për tregtim.
Nga kontrollet në banesën e 29-vjeçarit u sekuestruan edhe 4 mijë euro cash.
Pas arrestimit, të dy shqiptarët u paraqitën në gjykim të përshpejtuar dhe u dënuan respektivisht me tetë dhe njëmbëdhjetë muaj burg.















