Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar ngritjen nga qeveria të një sistemi institucionesh dhe korporatash shtetërore që, sipas saj, funksionojnë jashtë standardeve të transparencës, konkurrencës dhe llogaridhënies.
Në “Këndin e Fundjavës”, Tabaku analizoi tri prej këtyre strukturave – kompaninë shtetërore KAYO, Bankën Shqiptare të Zhvillimit dhe Korporatën e Investimeve Shqiptare – duke i cilësuar ato si pjesë të një “arkipelagu paligjshmërie”, të ndërtuar gjatë 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës.
Sipas Tabakut, këto struktura mund të duken të largëta nga shqetësimet e përditshme të qytetarëve, por mënyra se si ato përdorin fondet dhe pasuritë publike ndikon drejtpërdrejt te çmimet, taksat, cilësia e shërbimeve dhe kostoja e jetesës.
“Paratë janë publike. Pasuritë janë publike. Rreziku është publik. Ndërsa vendimmarrja përqendrohet në pak duar dhe kontrolli dobësohet. Ky është thelbi i problemit. Dhe kjo është ekonomia e pakicës, faturën e së cilës e paguan shumica”, deklaroi Tabaku.
KAYO, ishulli i parë i paligjshmërisë
Në qendër të analizës së saj ishte KAYO, shoqëria shtetërore e krijuar për industrinë e mbrojtjes, e cila në një periudhë të shkurtër është përfshirë në një sërë shoqërish të përbashkëta me kompani private.
Tabaku ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së partnerëve privatë, konkurrencën, vlerësimin e përvojës së tyre, kontrollin e kostove, konfliktin e interesit dhe publikimin e kontratave e të pronarëve përfitues.
“Si u përzgjodh secili partner? Çfarë gare u zhvillua? Si u vlerësua përvoja e tyre? Kush i kontrollon kostot? Kush verifikon konfliktin e interesit? Ku publikohen kontratat dhe përfituesit fundorë? Çfarë përgjegjësie mban bordi për çdo euro të shpenzuar?”, pyeti deputetja demokrate.
Sipas saj, përdorimi i argumentit të sigurisë kombëtare nuk mund të shërbejë si mburojë për mungesën e transparencës financiare.
“Sekreti shtetëror nuk mund të kthehet në sekret financiar. Siguria nuk mund të përdoret si perde për të fshehur mënyrën se si shpenzohen paratë e qytetarëve”, theksoi Tabaku.
Ajo bëri të qartë se opozita nuk kundërshton zhvillimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes, por modelin që u kalon fitimet privatëve dhe rrezikun qytetarëve.
“Ne nuk kundërshtojmë prodhimin shqiptar. Ne kundërshtojmë privatizimin e përfitimit dhe shtetëzimin e rrezikut. Kundërshtojmë një model ku privati merr kontratën, ndërsa qytetari mban faturën nëse projekti dështon”, deklaroi ajo.
Banka e Zhvillimit, rreziku i një sporteli për klientët politikë
Ishulli i dytë i analizuar nga Tabaku ishte Banka Shqiptare e Zhvillimit. Deputetja theksoi se Shqipëria ka nevojë për financim të bujqësisë, sipërmarrjes së vogël dhe sektorëve që nuk mbështeten sa duhet nga bankat tregtare, por problemi qëndron te kontrolli, përzgjedhja e përfituesve dhe përgjegjësia për kreditë që mund të mos kthehen.
Sipas saj, qeveria është njëkohësisht aksionare, emëron drejtuesit, përcakton prioritetet dhe merr raportimin, ndërsa mungon një kontroll plotësisht i pavarur.
“Një bankë zhvillimi mund të jetë motor për sipërmarrjen; por, pa filtra profesionalë, mund të kthehet në sportel për klientët politikë. Mund të financojë fermerin që prodhon, ose mikun që telefonon. Mund të ndihmojë biznesin me ide, ose biznesin me lidhje”, paralajmëroi Tabaku.
Ajo kërkoi transparencë për kreditë e mëdha, garancitë shtetërore, përfituesit dhe çdo ekspozim të mundshëm të buxhetit, duke nënvizuar se “zhvillimi nuk ka frikë nga transparenca. Vetëm favori ka frikë prej saj”.
## Korporata e Investimeve, miliona euro nën një standard më të mjegullt
Në analizën për Korporatën e Investimeve Shqiptare, Tabaku evidentoi kontrastin mes procedurave që duhet të ndjekin institucionet e zakonshme dhe mungesës së të njëjtit nivel transparence kur bëhet fjalë për transferimin e tokave, godinave dhe aseteve publike me vlerë miliona euro.
“Pse sa më e madhe vlera, aq më e vogël transparenca?”, pyeti ajo.
Tabaku iu referua edhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka evidentuar planifikim të pamjaftueshëm, mungesë metodologjish të standardizuara për përzgjedhjen dhe menaxhimin e projekteve, analiza të paplota të rrezikut dhe përfitueshmërisë, si dhe një hua prej 2 miliardë lekësh që nuk ishte shlyer brenda afatit fillestar.
“Këto nuk janë etiketime politike. Janë gjetje që kërkojnë përgjigje”, deklaroi Tabaku, duke kërkuar të bëhen publike rezultatet konkrete, vendet e punës të krijuara, të ardhurat e siguruara për shtetin dhe mënyra e vlerësimit të pronave publike.
“Korrupsioni është taksë e fshehtë mbi çdo familje”
Sipas Tabakut, KAYO, Banka Shqiptare e Zhvillimit dhe Korporata e Investimeve nuk janë raste të shkëputura. Ato lidhen nga i njëjti mekanizëm: ligje të posaçme, vendimmarrje e përqendruar, kufizim i konkurrencës, kontroll i pamjaftueshëm dhe kalim i rrezikut te taksapaguesit.
“Kur shteti zgjedh favorin dhe jo garën, paguan më shumë për të njëjtin mall apo shërbim. Kur biznesi pa lidhje përjashtohet, tregu humbet operatorë dhe konkurrenca dobësohet”, u shpreh ajo.
Deputetja demokrate theksoi se pasojat e këtij sistemi nuk mbeten vetëm në bilancet e institucioneve, por paguhen çdo ditë nga qytetarët.
“Korrupsioni nuk është një koncept abstrakt. Korrupsioni është taksë e fshehtë mbi çdo familje. E paguajmë te çmimi, te shërbimi i munguar dhe te mundësia e humbur”, deklaroi Tabaku.
Jo rotacion klientësh, por shembje e sistemit
Tabaku e cilësoi Edi Ramën arkitektin politik të një sistemi të ngritur hap pas hapi gjatë 13 viteve, nga kontrolli i tenderëve dhe koncesioneve deri te krijimi i strukturave të posaçme, ku Parlamenti kontrollon më pak, publiku di më pak dhe qeveria vendos më shumë.
Ajo theksoi se synimi i opozitës nuk duhet të jetë thjesht largimi i disa njerëzve dhe zëvendësimi i tyre me të tjerë, por shembja e vetë sistemit të klientelizmit dhe ndërtimi i një qeverisjeje që punon për Shqipërinë.
Lexo edhe:
Çmimet në Shqipëri, Tabaku kritikon qeverinë: Duam politika për uljen e tyre
“Pastrimi i parave deformon tregun”, Tabaku: Shqiptarët paguajnë kostot e zhvlerësimit të euros





