Zjarret në Shqipëri/ 21 vatra gjatë ditës, 5 mbeten aktive në Dibër, Shkodër dhe Fier

21 vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës së sotme në territorin e Shqipërisë, ndërsa sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, 5 vatra vijojnë aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 7 janë shuar plotësisht.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 324 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 17 automjete zjarrfikëse.

Në mbështetje të tyre, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 92 efektivë, 10 mjete, 1 dron dhe 1 ambulancë.

Dajti fiket, Mali me Gropa nën mbikëqyrje

Në Qarkun Tiranë, zjarri në Malin e Dajtit është fikur pas ndërhyrjes së forcave në terren.

Gjatë ditës janë angazhuar edhe 33 forca ushtarake, 4 mjete dhe një ambulancë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, vatra në Malin me Gropa është izoluar dhe vijon të mbahet nën mbikëqyrje.

Dibër, tre vatra ende aktive

Situata mbetet më problematike në Qarkun Dibër, ku vijojnë aktive tre vatra.

Zjarret janë në:

  • Lundre–Madhesh, Mat
  • Cerrujë–Mali i Allushit, Klos
  • Selishtë

Ndërsa vatra në Qafa e Helmes, Bulqizë, mbahet nën mbikëqyrje.

Shkodër, aktive vatra në Porav

Në Qarkun Shkodër, zjarri në Porav, Fushë-Arrëz, mbetet aktiv.

Vatra në Rragam është nën mbikëqyrje, ndërsa gjatë ditës operacioni u mbështet edhe nga 22 forca ushtarake dhe 3 mjete.

Edhe vatra në malin e Tërbunit vijon të monitorohet.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se nuk raportohen banesa në rrezik në Rragam dhe Tërbun.

Mallakastra, zjarri është izoluar

Në Qarkun Fier, vatra në Çërrilë, Mallakastër, vijon aktive, por është izoluar.

Në operacion janë angazhuar strukturat vendore, ndërsa në mbështetje kanë operuar 32 forca ushtarake dhe 3 mjete.

Vatra në Peshtan mbahet nën mbikëqyrje.

Vatrat e tjera në Lezhë, Elbasan dhe Korçë vijojnë të mbahen nën monitorim.

Opar të Korçës nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa në Gallatë të Kurbinit terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e mjeteve, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, prioriteti i operacioneve mbetet mbrojtja e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Lexo edhe

A do mbyllet karburant “EIDA” i Frident Kuqit, pas skandalit të zjarrit?!

30 vatra zjarri në 24 orë, 7 mbeten aktive/ Dajti dhe Mallakastra në fokus të operacioneve

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version