Kallëzimi i gjyqtarëve në SPAK, Rama: “Histori bajate”! Më shtoni edhe mua e Gogun, u konsultua me ne

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kallëzimit të magjistratëve në SPAK ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, duke deklaruar se pagat e gjyqtarëve do të ndryshojnë vetëm me vendim të Kuvendit dhe në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për përplasjen mbi pagat e gjyqtarëve, pasi një grup magjistratësh kanë depozituar kallëzim në SPAK ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe drejtuesve të degëve të Thesarit në disa qarqe.

Rama e ka cilësuar ngërçin e krijuar si një “histori bajate”, ndërsa ka deklaruar se qëndrimi i Ministrisë së Financave është konsultuar paraprakisht me të dhe me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.

Sipas kryeministrit, në kallëzimin e magjistratëve “mungon” vetëm emri i tij dhe i ministrit të Drejtësisë, pasi ata kanë qenë në dijeni të qëndrimit të ministrit Malaj për bllokimin e pagave.

Rama: Vetëm Kuvendi mund të ndryshojë pagat

Rama argumenton se ministri i Financave nuk mund të autorizojë ndryshimin e pagave përmes Thesarit, pasi sipas tij kjo kompetencë i takon Kuvendit.

“Kallëzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave pse nuk lejon që ata të hapin derën e thesarit për rritjen e pagave të tyre, ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi: Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë”, shkruan Rama.

Kryeministri thotë se Ministri i Financave është konsultuar me ta përpara se të merrte qëndrimin e tij dhe se ekipet juridike kanë vlerësuar se “pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit”.

Sipas Ramës, ndryshimi i pagave mund të bëhet vetëm përmes Kuvendit.

“Pagat do të rriten me vendim të Kuvendit”

Duke komentuar përplasjen me magjistratët, Rama shprehet se nuk dëshiron të zgjatet me atë që mendon për debatin.

Ai e ka cilësuar situatën si një histori të “vetërritjes së rrogave”, duke theksuar se gjyqtarët janë ndër kategoritë më të mirëpaguar të administratës publike.

“Por për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, përfundon Rama.

Çështja pritet të marrë një drejtim të ri në Kuvend, ku ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka deklaruar se projektligji për pagat e gjyqtarëve pritet të shqyrtohet në seancën plenare të 17 shtatorit.

Lexo edhe:

Ngërçi me pagat, 20 gjyqtarë kallëzojnë në SPAK ministrin Petrit Malaj

Pagat e gjyqtarëve, Gogu: Kuvendi e shqyrton projektligjin më 17 shtator

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version