Evis Sala ka konfirmuar dorëheqjen nga detyra e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Përmes një reagimi publik, Sala ka bërë të ditur se mbledhja e sotme e qeverisë ka qenë e fundit për të si anëtare e kabinetit qeveritar. Ajo shprehet se ka pranuar disa angazhime të rëndësishme ndërkombëtare në fushat e saj të ekspertizës: onkologji, inteligjencë artificiale dhe inovacion.
“Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi”, shkruan Sala.
Ajo ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët e punonjësit e sistemit shëndetësor dhe të mirëqenies sociale.
Sala ka deklaruar se gjatë vitit të fundit janë bërë hapa të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se disa prej tyre janë tashmë të dukshëm, ndërsa të tjerë sapo kanë nisur.
Në reagimin e saj, ajo ka theksuar se largimi nga detyra nuk do të thotë shkëputje nga Shqipëria.
“Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar”, shprehet ajo.
Në përfundim, Sala shkruan: “Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund. Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!”.
Lexo edhe
Jep dorëheqjen ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala! Do ti përkushtohet kërkimit shkencor
Gjendja e sistemit spitalor, PD kërkon interpelancë urgjente me Ministren Sala






