Blushi: Nafta arrin 219 lekë/litri, Rama mbron taksat! Kërkon pezullimin e Takës së Qarkullimit dhe Karbonit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar për rritjen e çmimit të karburanteve në Shqipëri, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme të qeverisë për uljen e barrës fiskale mbi naftën.

Blushi deklaron se çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në 219 lekë për litër, ndërsa sipas tij vendet fqinje kanë ndërmarrë masa për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të lehtësuar kostot për qytetarët dhe bizneset.

“Rajoni ul çmimin e naftës, Rama e çon 219 lekë/litri. Fqinjët mbrojnë qytetarët, Rama ‘mbron’ taksat”, shprehet Blushi.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut e ka ulur çmimin e naftës në rreth 1.54 euro për litër, ndërsa në Malin e Zi çmimi, pas ndërhyrjeve përmes akcizave, është rreth 1.87 euro për litër.

Blushi argumenton se Shqipëria duhet të përdorë gjithashtu instrumentet fiskale për të ulur çmimin e karburanteve.

Blushi kërkon pezullimin e dy taksave

Partia e Lirisë kërkon që të pezullohen Taksa e Qarkullimit dhe Taksa e Karbonit, një propozim që, sipas Blushit, është depozituar më herët në Kuvend, por është rrëzuar nga mazhoranca.

“Projektligji i Partisë së Lirisë është në Kuvend, i gatshëm për t’u rishqyrtuar dhe rivotuar. Le ta nxjerrin nga sirtari, ta votojnë dhe ta zbatojnë pa vonesë”, deklaron ai.

Sipas Blushit, vetëm Taksa e Qarkullimit është 27 lekë për litër, ndërsa bashkë me TVSH-në barra shkon në rreth 32 lekë për litër.

Ai pretendon gjithashtu se taksat përbëjnë rreth 60% të çmimit të naftës, duke argumentuar se rritja e çmimit të karburantit sjell automatikisht edhe rritjen e TVSH-së që arkëton shteti.

“Rritja e naftës shtrenjton të gjithë ekonominë”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë thekson se ndikimi i çmimit të karburanteve nuk kufizohet vetëm te drejtuesit e automjeteve.

Sipas tij, rritja e çmimit të naftës transmetohet në kostot e transportit, prodhimit dhe shërbimeve dhe përfundon në çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm.

“Çmimi i naftës nuk është thjesht çmimi që paguhet në pikën e karburantit. Çdo rritje e tij transmetohet zinxhir në të gjithë ekonominë”, shprehet Blushi.

Ai ngre gjithashtu shqetësimin për kostot e familjeve shqiptare, duke pretenduar se qytetarët shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për ushqime dhe se pagat në Shqipëri mbeten më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Krahasimi me vendet e rajonit

Blushi solli në vëmendje edhe pagën minimale, duke deklaruar se nga 1 janari ajo është 50 mijë lekë në Shqipëri, ndërsa sipas shifrave të paraqitura prej tij, në Malin e Zi është rreth 670 euro, në Serbi 618 euro, në Maqedoninë e Veriut 584 euro dhe në Bosnjë-Hercegovinë 660 euro.

Sipas tij, kombinimi i çmimeve të larta të karburanteve me të ardhurat më të ulëta e rëndon më tej buxhetin e familjeve shqiptare dhe rrit kostot për bizneset.

Blushi i ka bërë thirrje mazhorancës që të rikthejë për votim projektligjin e Partisë së Lirisë dhe të ndërhyjë për uljen e çmimit të karburanteve.

“Pezulloni Taksën e Qarkullimit, pezulloni Taksën e Karbonit, ulni çmimin e naftës dhe ktheni paratë në xhepat e shqiptarëve!”, përfundon ai.

Lexo edhe

Blushi: Shkrirja e 15 bashkive cenon vetëqeverisjen vendore, harta e re të vendoset me referendum
Tedi Blushi nga Priska e Madhe: “Situata është alarmante, shteti të çohet në këmbë”

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version