Transporti publik pritet të përballet me reduktim të ndjeshëm të shërbimit duke nisur nga 1 shtatori 2026. Operatorët kanë njoftuar se do të ulin me rreth 20–30% numrin e mjeteve në qarkullim, për shkak të kostove të larta të operimit.
Sipas operatorëve, shkak kryesor është rritja e kostove të karburantit, e cila ka bërë të papërballueshëm operimin me kapacitet të plotë.
Ata theksojnë se reduktimi nuk është zgjedhje, por pasojë e situatës financiare dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.
Vendimi pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik. Me më pak autobusë në rrugë, operatorët paralajmërojnë rritje të intervaleve të pritjes, mbingarkesë të mjeteve dhe vështirësi në lëvizje.
Në kërkesën drejtuar Kryeministrisë, operatorët kërkojnë që të realizohet kompensimi i parashikuar për kostot e karburantit dhe të vijojë mbështetja financiare për transportin publik.
Ata argumentojnë se, në kushtet aktuale, operimi me 100% të flotës nuk është më financiarisht i përballueshëm.
Nëse nuk gjendet një zgjidhje, reduktimi i flotës mund të sjellë përkeqësim të mëtejshëm të shërbimit, pikërisht në një periudhë kur transporti publik përdoret nga mijëra qytetarë çdo ditë.
Lexo edhe:
Rritja e çmimit të naftës çon transportin publik drejt krizës, autobusët reduktohen me 40% nga nesër
Qeveria miraton subvencion për transportin publik, 50 lekë kompensim për çdo litër naftë






