Policia po vijon kërkimet për pronarin e kompleksit luksoz “Principotes” në Ksamil, Bekim Bulica, pas ngjarjes së rëndë ku humbi jetën turisti portugez Luis Miguel Varela Mendes. Hetimet janë shtrirë në Kukës, Tiranë dhe Vlorë, ndërsa vijojnë kërkimet edhe për persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Sipas të dhënave të bëra publike, ngjarja ndodhi pas një konflikti që nisi për zhurmën pranë kompleksit. Luis Miguel Varela Mendes ndodhej në një grup turistësh, ndërsa në debat u përfshinë edhe punonjës të “Principotes”.
Sipas hetimeve, situata u përshkallëzua më tej jashtë ambienteve të lokalit, në zonën e plazhit. Në konflikt u përfshinë Mendes, David Heurtevent, punonjës i kompleksit, si dhe Sokrat Vata.
Sipas versionit të hetimit, Heurtevent e ka goditur Mendesin në kokë, ndërsa më pas Sokrat Vata dyshohet se e ka goditur me thikë, duke i shkaktuar plagë fatale.
Pas ngjarjes, Vata dyshohet se është larguar nga vendi i krimit, por u arrestua në Levan të Fierit. Sipas të dhënave të publikuara, ai u gjet i fshehur në bagazhin e një automjeti ku ndodheshin dy shtetas turq, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, të cilët gjithashtu janë arrestuar.
Gjatë marrjes në pyetje, Vata, i njohur edhe me aliasin Sokrat Lipan, ka pranuar se konflikti nisi për shkak të zhurmës, por ka dhënë një tjetër version për momentin e përdorimit të thikës. Sipas pretendimit të tij, arma i përkiste turistit portugez dhe ai ia kishte marrë nga dora.
Ndërkohë, në kuadër të hetimeve janë arrestuar edhe katër truproja të kompleksit, të identifikuar si Miosid Matushaj, Luciano Seferi, Romeo Shehu dhe Kristi Koshi.
Sipas hetimeve, ata dyshohet se nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe nuk kanë njoftuar policinë pas ngjarjes. Mes tyre ka persona që ushtrojnë edhe funksione të tjera publike, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet për rolin e secilit në ngjarje.
Në fokus të hetimit mbetet edhe pronari i “Principotes”, Bekim Bulica. Sipas të dhënave të raportuara, ai ndodhej në lokal në momentin e konfliktit dhe më pas është larguar pa kallëzuar ngjarjen.
Hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së konfliktit, rolit të personave të arrestuar dhe rrethanave që çuan në vdekjen e turistit portugez.
Lexo edhe:
Ksamil/ Vrasja e turistit portugez, pezullohen dy punonjës policie
Lamallari pas vrasjes në Ksamil: “Ata që sfidojnë ligjin meritojnë përgjigjen më shembullore”






