Berisha: “Vrasja e 20-vjeçarit portugez është pothuajse vrasje shtetërore, në Sarandë shteti dhe krimi janë një”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në një konferencë për mediat lidhur me vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil.

Berisha e ka cilësuar ngjarjen si “pothuajse vrasje shtetërore”, duke argumentuar se, sipas tij, industria turistike në zonën e Sarandës është e lidhur me struktura kriminale.“Vrasja e 20-vjeçarit portugez, turist në Ksamil, është një akt, sipas të dhënave, pothuaj vrasje shtetërore”, deklaroi Berisha.

Ai sqaroi se me këtë nuk nënkupton që i riu është ekzekutuar nga persona me uniformë, por e lidhi deklaratën e tij me mënyrën se si, sipas tij, funksionon industria turistike në jug të vendit.

“Në Sarandë, shteti dhe krimi janë një. Ligji nuk ekziston”, u shpreh Berisha.

Më tej, ai ngriti akuza për ekzistencën e një ekonomie që, sipas tij, mbështetet në aktivitete kriminale dhe trafiqe, duke përmendur drogën dhe trafikimin e njerëzve.

Berisha kritikoi gjithashtu situatën në plazhet e zonës, duke pretenduar se hapësirat publike janë dominuar nga persona që ushtrojnë aktivitetin e tyre përmes shezlongëve me çmime të larta.

Deklaratat e kreut të PD-së vijnë pas ngjarjes së rëndë në Ksamil, ku 20-vjeçari portugez humbi jetën pas një konflikti në kompleksin “Principotes”. Për ngjarjen është arrestuar si autor i dyshuar 29-vjeçari Sokrat Vata, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Lexo edhe

Balla reagon pas vrasjes së turistit në Ksamil: “Nuk është në traditën e shqiptarit”

Lamallari pas vrasjes në Ksamil: “Ata që sfidojnë ligjin meritojnë përgjigjen më shembullore”

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version