Sipas Policisë së Tiranës, i riu, i identifikuar si Klevis Gega, 24 vjeç, dyshohet se përdorte profile të falsifikuara në platformat virtuale për të përndjekur dhe kanosur një shtetas, duke e detyruar t’i jepte para.
Policia bën të ditur se arrestimi u krye në flagrancë gjatë operacionit të koduar “Açountet”, në momentin kur 24-vjeçari po merrte shumën monetare.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi shumën e parave dhe dy aparate celularë, të cilët dyshohet se janë përdorur në aktivitetin e kundërligjshëm.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Përndjekja”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Policia thotë se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Lexo edhe:
Arrest në Rinas dhe dy ekstradime, Policia: Në pranga një shtetase turke e dënuar për terrorizëm





