Një 12-vjeçar është konstatuar duke drejtuar një mjet lundrues tip “Jet Ski” në hapësirat detare përballë plazhit të Dhërmiut.
Rasti është evidentuar gjatë kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare, në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë në det gjatë sezonit turistik.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve është konstatuar një mjet lundrues “Jet Ski”, në drejtimin e të cilit ndodhej një 12-vjeçar. Mjeti është ndaluar menjëherë nga shërbimet policore për verifikim.
Gjatë kontrollit ka rezultuar se drejtuesi ishte i mitur, ndërsa në bordin e mjetit nuk ndodhej dokumentacioni i detyrueshëm.
Për shkeljet e konstatuara, pronari i mjetit lundrues, shtetasi M. Xh., është ndëshkuar me masë administrative prej 10 mijë lekësh të rinj, ndërsa “Jet Ski” është bllokuar nga autoritetet.
Policia Kufitare u ka bërë apel qytetarëve dhe subjekteve që japin me qira mjete lundruese që të mos ua besojnë ato të miturve apo personave që nuk plotësojnë kriteret ligjore për drejtimin e tyre.
Sipas autoriteteve, drejtimi i mjeteve lundruese nga të miturit mund të rrezikojë jetën dhe shëndetin e tyre, por edhe sigurinë e pushuesve dhe përdoruesve të tjerë të hapësirave detare.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare deklarojnë se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë përgjatë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë në det, parandalimin e shkeljeve të perimetrit të sigurisë dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Lexo edhe:
Sarandë, bllokohen dy Jet Ski që rrezikuan pushuesit – Policia vendos gjoba nga 500 mijë lekë






