Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 shtator, ora 09:30, për rishqyrtimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e çështjes për shqyrtim.
Seanca do të zhvillohet nga një trupë gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Sander Simoni, në cilësinë e relatorit, si dhe Valbon Çekrezi e Genti Shala, si anëtarë.
Ndryshimet në trupën gjykuese
Fillimisht, nga shqyrtimi i rekursit janë tërhequr gjyqtarët Sokol Binaj dhe Albana Boksi, pasi më herët kanë shqyrtuar kërkesa të tjera të paraqitura nga mbrojtja e Veliajt.
Më herët kishte dhënë dorëheqjen edhe gjyqtari Ilir Panda, i cili ishte caktuar fillimisht si relator i çështjes.
Pas këtyre ndryshimeve, çështja do të shqyrtohet nga trupa e re gjykuese e Gjykatës së Lartë.
Gjykata Kushtetuese riktheu çështjen
Gjykata Kushtetuese i ka rikthyer Gjykatës së Lartë shqyrtimin e kërkesës për masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt.
Sipas argumentimit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e Lartë duhet të arsyetojë në mënyrë të plotë përse nuk është e përshtatshme vendosja e një mase tjetër sigurie, më të lehtë se masa e arrestit në burg.
Rishqyrtimi i çështjes pritet të përcaktojë nëse masa aktuale e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës do të vijojë të mbetet në fuqi apo nëse do të ketë një ndryshim të saj.
Seanca në Gjykatën e Lartë është caktuar për më 15 shtator, në orën 09:30.
Lexoni edhe:
Veliaj në Gjykatën Administrative kërkon anulimin e dekretit për Ols Dadon
Gjykata Administrative rrëzon padinë e Erion Veliajt për prokurorin Ols Dado






