Një 21-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës, ndërsa janë sekuestruar katër armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme municioni, në kuadër të operacionit të koduar “Kalibri”.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas administrimit të një informacioni të siguruar gjatë punës operative, në kuadër të masave për parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe garantimin e rendit e sigurisë publike.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit R. M., 21 vjeç, në fshatin Trush, efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruan katër armë zjarri, konkretisht një automatik, një pushkë dhe dy armë gjahu, si dhe një sasi të konsiderueshme municioni.
Armët dhe municionet janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.
Ndaj 21-vjeçarit janë nisur procedurat ligjore, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se kontrollet dhe operacionet për goditjen e armëmbajtjes pa leje do të vijojnë në të gjithë territorin, me qëllim rritjen e sigurisë publike.
Vrasja e Aleksandër Koçekut në Shkodër, pista kryesore hakmarrja për ekzekutimin e Pavlin Prekës
Publikohet fotoja e 40-vjeçarit të ekzekutuar në Shkodër, dyshohet se u vra për gjakmarrje






