Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, deklaroi se mbrojtja e mjedisit është një nga kriteret themelore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi duhet të ndryshojë një sërë ligjesh për të përmbushur standardet evropiane.
Gjatë konferencës ndërqeveritare në Bruksel, Kos u shpreh se përpara nisjes së protestave ishte arritur dakordësi me qeverinë shqiptare për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ligjin për investimet strategjike.“Mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter. Para se të nisin protestat, kishim rënë dakord me qeverinë shqiptare që të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike. Procesi i anëtarësimit është në vazhdimësi. Kapitulli 27 është më kërkuesi, dhe jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por më së shumti sepse Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin”, deklaroi Kos.
Komisionerja e cilësoi ditën e sotme si një moment historik për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke e quajtur atë një “super të martë për zgjerimin”, pasi katër vende zhvilluan konferenca ndërqeveritare në të njëjtën ditë.
Ajo përgëzoi Shqipërinë për përparimin në negociata, duke vlerësuar mbylljen e tre kapitujve të parë dhe përfshirjen e universiteteve shqiptare në programet europiane të kërkimit shkencor.“Universitetet shqiptare janë pjesë e kërkimit europian. Përgëzime të gjithë miqve tanë shqiptarë për punën e tyre dhe për këtë arritje. Ne mbështetemi te Shqipëria për të vazhduar reformat thelbësore”, tha ajo.
Kos nënvizoi gjithashtu se mbështetja për zgjerimin e Bashkimit Evropian mbetet shumë e lartë, duke theksuar se 94% e qytetarëve e konsiderojnë zgjerimin një proces që sjell më shumë përfitime.“Udhëheqja politike dhe mbështetja publike janë përtej çdo dyshimi, një recetë shumë e fortë për sukses. Është në dorën tuaj që të jepni rezultate për qytetarët shqiptarë. Do të jem krah jush deri në fund të mandatit tim”, u shpreh Komisionerja për Zgjerimin.
Deklaratat e Marta Kos vijnë në një moment kur Shqipëria ka mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa procesi i integrimit vijon me kapitujt e tjerë, ku ai për mjedisin konsiderohet një nga më kompleksët dhe më sfiduesit.
Kapitulli 5 i integrimit, Rama: Shqipëria në fazë të avancuar në prokurimet publike
Shqipëria mbyll kapitujt e parë të negociatave me BE, Marta Kos: “Super e martë” për zgjerimin






