Shqipëria mbyll kapitujt e parë të negociatave me BE, Marta Kos: “Super e martë” për zgjerimin

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ka hyrë në një fazë të re, ndërsa u zhvilluan katër konferenca ndërqeveritare në të njëjtën ditë për Shqipërinë, Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi këtë si një moment historik për vendet që synojnë anëtarësimin në BE.

“Sot është një ‘super e martë’ për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që kryesojnë procesin po hedhin hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Kos.

Për Shqipërinë, kjo ditë shënon një zhvillim të rëndësishëm në procesin e integrimit europian. Vendi pritet të mbyllë kapitujt e parë të negociatave, që lidhen me shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet me jashtë.

Komisionerja europiane e renditi Shqipërinë mes vendeve që po avancojnë me ritme të qëndrueshme drejt anëtarësimit, ndërsa theksoi se Mali i Zi mbetet vendi më i avancuar në proces, me 18 nga 33 kapituj të negociatave të mbyllur.

“Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë të negociatave. Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale. Tani, ky moment pozitiv duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, u shpreh Kos.

Përveç Shqipërisë dhe Malit të Zi, edhe Ukraina dhe Moldavia po përparojnë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, në një periudhë kur politika e zgjerimit është rikthyer në qendër të agjendës së Unionit.

Megjithëse mbyllja e kapitujve të parë përbën një hap të rëndësishëm në negociata, Shqipëria duhet të vijojë zbatimin e reformave dhe plotësimin e kritereve në kapitujt e tjerë, përpara përfundimit të procesit teknik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

REL: Kë e mendon Marta Kos kur flet për kalin e Trojës?

Komisionerja e BE-së, Marta Kos, akuzohet se punoi për policinë sekrete jugosllave

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version