Lushnjë/ Ndez zjarr për të djegur mbeturinat, flakët përhapen në pronën e fqinjit, arrestohet 57-vjeçari

Një 57-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë në Lushnjë, pasi dyshohet se ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në pronën e tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe shkaktuan dëme në tokën e fqinjit.

Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin me inicialet I. K., 57 vjeç, banues në fshatin Lumth, Lushnjë, pas hetimeve për zbardhjen e rastit të zjarrvënies.

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në fshatin Lumth, ku 57-vjeçari dyshohet se kishte ndezur zjarr në tokën e tij me qëllim djegien e mbeturinave.

Por për shkak të përhapjes së flakëve, zjarri ka kaluar në pronën e fqinjit të tij, shtetasit A. A., duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Nga zjarri janë djegur:

  • një mjet bujqësor (zetor);
  • një rimorkio;
  • baza ushqimore për blegtorinë.

Në përpjekje për të shuar flakët dhe për të shpëtuar pronën e tij, fqinji i autorit ka pësuar djegie në trup. Ai është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Lushnjës dhe, sipas bluzave të bardha, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka bërë apel për qytetarët që të mos ndezin zjarre, veçanërisht gjatë periudhës së temperaturave të larta, pasi veprime të tilla mund të sjellin pasoja të rënda dhe përgjegjësi ligjore.

Policia gjithashtu u kërkon qytetarëve të denoncojnë çdo rast të zjarrvënies apo shkeljeje të ligjit në numrin 112, duke garantuar reagim të shpejtë dhe ruajtjen e anonimatit.

Zjarri pranë zonës së banuar në Fier, Mbrojtja Civile: Situata problematike, prioritet mbrojtja e banesave

160 zjarre në vetëm dy javë, AKMC mbledh Komisionin Teknik: Çako apel qytetarëve, “Jemi në gatishmëri 24/7”

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version