Taulant Balla deklaroi pas daljes nga Kuvendi se qeveria nuk do të tërhiqet përballë, sipas tij, një “grupi mbeturinash sociale e politike”, ndërsa shprehu mbështetje për Policinë e Shtetit pas incidenteve gjatë protestës.
“Qeveria nuk zmbrapset”
Në një prononcim për mediat, Balla tha se mazhoranca nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për shkak të akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestës.
Ai u shpreh se ngjarjet e sotme nuk ishin të papritura dhe se, sipas tij, bëhet fjalë për një skenar që dëmton interesat e Shqipërisë.“Ne s’mund të zmbrapsemi se një grup mbeturinash sociale e politike mendojnë që parlamenti duhet të shpërndahet. Sot, edhe shqiptari më skeptik e kupton se këtu është një skenar tërësisht jo shqiptar, në dëm të Shqipërisë.”
Mbështetje për Policinë e Shtetit
Balla dënoi sulmet ndaj efektivëve të policisë dhe theksoi se autorët e akteve të dhunës duhet të përballen me ligjin.“Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Mbështes Policinë e Shtetit. Kushdo që ngre dorë ndaj saj, do të përballet me forcën e ligjit.”
“Protesta është ndarë në dy”
Shefi i grupit parlamentar të PS-së tha se protesta tashmë është ndarë në dy kategori.
Sipas Ballës, njëra pjesë përbëhet nga qytetarë që protestojnë paqësisht dhe me të cilët qeveria është e gatshme të dialogojë, ndërsa pjesa tjetër, sipas tij, përbëhet nga persona me precedentë penalë që ushtrojnë dhunë.
Ai shtoi se, sipas qeverisë, pas disa ditësh do të nisë një proces dialogu me ata që i cilësoi “protestuesit e vërtetë”, të cilët kanë ngritur shqetësime për çështje si mbrojtja e natyrës dhe funksionimi i administratës publike.






