Një konflikt i nisur për një frigorifer banaku ka përfunduar me arrestimin e dy pronarëve të një dyqani elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, në Tiranë.
Sipas informacionit zyrtar, në pranga kanë rënë Sefedin Ahmetaj, 63 vjeç, dhe Edjola Harunaj, 41 vjeçe, të cilët dyshohet se kanë privuar nga liria një kliente që kishte blerë pajisjen në dyqan.
Ngjarja ka nisur pasi klientja është rikthyer në dyqan me pretendimin se frigoriferi nuk funksiononte dhe ka kërkuar rimbursimin e plotë të shumës së paguar. Kërkesa e saj është refuzuar nga pronarët, çka ka sjellë përshkallëzim të konfliktit.
Sipas burimeve, klientja është mbajtur kundër vullnetit të saj për rreth dy orë brenda ambienteve të biznesit dhe dyshohet se është dhunuar gjatë kësaj kohe.
Situata është përshkallëzuar edhe gjatë ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, ku dy pronarët dyshohet se kanë kundërshtuar efektivët. Në këtë kontekst, një nga të arrestuarit, Edjola Harunaj, akuzohet se ka dëmtuar një punonjës policie, duke i shkaktuar djegie në dorë me cigare.
Pas ndërhyrjes së policisë, të dy personat u arrestuan në flagrancë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë e secilit person të përfshirë.






