Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar pas daljes nga Kuvendi edhe protestën e qytetarëve për çështjen e Zvërnecit, duke e cilësuar atë si një tubim me karakter kombëtar dhe jo lokal.
Sipas Ballës, në protestë kanë marrë pjesë mbi 2000 qytetarë, ndërsa ai theksoi se në tubim kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të opozitës.
“Dje ishin më shumë se 2000 veta, sepse ishte protestë kombëtare, jo lokale. Padyshim që edhe PD-ja ishte në protestë, duke filluar nga Sali Lushaj e anëtarë të tjerë të saj”, u shpreh Balla.
Ai shtoi me ironi se protesta “u nis për flamingot dhe bufat kanë filluar ta ndjejnë veten si flamingo”, ndërsa theksoi se është kundër çdo thirrjeje që, sipas tij, mund të ketë elementë diskriminues.
Balla deklaroi gjithashtu se do të komentojë më tej mbi kërkesat e protestuesve vetëm kur të ketë një përfaqësi zyrtare të tyre.
I pyetur nga gazetarët për deklaratat e deputetit socialist Petro Koçi ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Balla u shpreh se nuk ishte në dijeni të reagimit dhe nuk pranoi ta komentonte.
“Unë nuk e kam ndjekur deklaratën e Petros dhe refuzoj të komentoj mbi diçka që nuk e kam lexuar. Megjithatë, secili ka këndvështrimet e veta”, tha ai.
Në fund, Balla shtoi se Partia Socialiste mbetet e fortë në Fier dhe se rezultatet elektorale në këtë qark do të vazhdojnë të jenë në favor të saj edhe në të ardhmen.






