Një tjetër goditje ndaj krimit të organizuar pritet të konkretizohet këtë të premte, teksa gjashtë shtetas shqiptarë të arrestuar në Dubai do të ekstradohen drejt Shqipërisë.
Lajmi është konfirmuar nga Policia e Shtetit, e cila bën të ditur se ekstradimi realizohet në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas njoftimit zyrtar, të ekstraduarit janë persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të akuzuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave dhe mashtrimet kompjuterike.
Mes tyre janë Kristo Qirici, i njohur edhe me identitete të tjera, Shkëlzen Kraja, Aleks Pepaj, Devit Patrut, Ilir Lazri dhe Merxhan Çeliku.
Katër prej tyre akuzohen për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe pastrim parash në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale.
Një tjetër person akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale, ndërsa Merxhan Çeliku akuzohet për mashtrim kompjuterik në kuadër të një grupi kriminal.
Arrestimi i tyre në Dubai dhe rikthimi në Shqipëri konsiderohet si pjesë e operacioneve të përbashkëta ndërkombëtare për lokalizimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të personave të kërkuar nga autoritetet shqiptare.
Në muajt e fundit, bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ka sjellë ekstradimin e disa emrave të rëndësishëm të botës së krimit, duke ngushtuar hapësirat për personat që kërkojnë t’i shmangen drejtësisë jashtë vendit.
Pas mbërritjes në Shqipëri, gjashtë të ekstraduarit pritet t’u dorëzohen autoriteteve ligjzbatuese dhe të përballen me procedurat gjyqësore për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.






