Gonxhja: Pallati i Kongreseve ka mbetur në vitin 1982, Tiranës i duhet një qendër moderne

Pesë skuadrat finaliste të Konkursit Ndërkombëtar për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve prezantuan këtë të martë projekt-idetë e tyre arkitekturore, në garën që synon transformimin e një prej godinave më simbolike të Tiranës në një qendër moderne multifunksionale.

Gjatë aktivitetit, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ministri Blendi Gonxhja theksoi se Pallati i Kongreseve ka nevojë për një transformim të thellë për t’iu përgjigjur kërkesave të Shqipërisë së sotme.

Duke kujtuar historinë e godinës, Gonxhja tha se Pallati i Kongreseve u ndërtua në fillim të viteve ’80, në një realitet krejt tjetër politik dhe shoqëror, kur shërbente kryesisht si hapësirë për kongreset e regjimit komunist.

“Katër dekada më vonë, Shqipëria nuk është më ajo e vitit 1982. Sot jemi një vend i hapur ndaj botës, një hap larg Bashkimit Europian dhe një destinacion që mirëpret miliona turistë çdo vit”, deklaroi ministri.

Sipas tij, struktura aktuale e Pallatit të Kongreseve ka kufizime të shumta funksionale, duke përfshirë mungesën e garazheve nëntokësore, hapësirave të dedikuara të shërbimit dhe infrastrukturës së nevojshme për organizimin e eventeve të mëdha ndërkombëtare.

Gonxhja nënvizoi se projekti nuk synon thjesht zgjerimin e kapaciteteve të godinës, por krijimin e një infrastrukture moderne që mund të presë samite, kongrese, ekspozita, panaire dhe artistë të njohur ndërkombëtarë sipas standardeve më të larta.

“Na duhet një hapësirë që të jetë njëkohësisht skenë kombëtare për talentet shqiptare dhe një skenë ndërkombëtare për ngjarjet që e lidhin vendin tonë me botën”, u shpreh ai.

Ministri shtoi se objekti i ri duhet të ndërthurë trashëgiminë historike me inovacionin, duke ruajtur identitetin e ndërtesës ekzistuese dhe duke rritur njëkohësisht funksionalitetin, eficiencën dhe vlerën ekonomike të saj.

Sipas Gonxhes, interesi i studiove prestigjioze ndërkombëtare për këtë konkurs është një tregues i reputacionit që Tirana ka fituar vitet e fundit në arenën ndërkombëtare dhe i besimit që ekziston ndaj potencialit të zhvillimit të kryeqytetit.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version