FNSH e ruante në Fier, 41-vjeçari shqiptar përfshihet në shkëmbim zjarri me policinë greke në Athinë

Një shqiptar me precedent të rëndë kriminal është përfshirë në një shkëmbim zjarri me policinë greke në orët e para të mëngjesit të së shtunës në zonën e Mikrolimano, në Athinë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30, kur efektivët e stacionit policor të Pireut tentuan të kontrollonin 41-vjeçarin jashtë një dyqani. Sipas mediave greke, shtetasi shqiptar, i identifikuar si Alesio Xhelo, i njohur me nofkën “Titi”, ka tentuar të largohet dhe më pas ka qëlluar me armë në drejtim të një efektivi policie.

Policët kanë reaguar menjëherë duke përdorur armët e shërbimit, ndërsa 41-vjeçari mbeti i plagosur dhe u transportua në spitalin “Attikon” për ndihmë mjekësore. Në vendngjarje autoritetet sekuestruan tre armë zjarri dhe gjashtë granata.

Alesio Xhelo rezulton një emër i njohur për autoritetet greke dhe shqiptare. Ai është nga Fieri dhe ishte shpallur në kërkim në Greqi për disa vepra të rënda penale, përfshirë vrasje, rrëmbim personi dhe përplasje të armatosura me policinë.

Sipas të dhënave, Xhelo ishte arratisur në vitin 2019 nga burgu i Petro Ralli në Greqi, pasi kishte marrë peng një gardian. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Pas arratisjes, ai u kap në Vlorë me armë pa leje dhe më pas u vendos në arrest shtëpie në Fier nën mbikëqyrjen e FNSH-së.

Ndërkohë, dyshime të forta janë ngritur edhe mbi mënyrën se si ai kishte rifituar lirinë në Shqipëri. Në rrjetin social TikTok, më 24 tetor 2025, Xhelo kishte publikuar një video ku shfaqej duke dalë nga një komisariat policie në Shqipëri dhe duke u përqafuar me familjarët. Në pamje ai shihej më pas edhe në ambiente të ndryshme në qytetin e Sarandë.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rrezikshmërinë e personave me precedent të lartë kriminal dhe sfidat e bashkëpunimit ndërkufitar mes autoriteteve shqiptare dhe greke. Hetimet për incidentin vijojnë nga policia greke.

 

titi greqi shqiptari

 

 

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version