Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, ka ngritur alarmin për gjendjen e arsimit parauniversitar në vend, duke e cilësuar atë si një nga krizat më të rënda që po përjeton shoqëria shqiptare.
Në një deklaratë publike, Sula theksoi se rënia e cilësisë në arsim është kthyer në një ndër arsyet kryesore të emigrimit të familjeve, fenomen që sipas saj po prek gjithnjë e më shumë edhe të rinjtë dhe fëmijët.
Ajo u ndal veçanërisht tek situata e mësuesve, për të cilët tha se ndihen të pasigurt dhe nën presion të vazhdueshëm në vendet e punës. Sipas saj, një numër i konsiderueshëm mësuesish të diplomuar para vitit 2011, pavarësisht përvojës shumëvjeçare dhe kualifikimeve të fituara, po përballen me detyrimin për t’iu nënshtruar sërish testimeve për licencim.
Sula e cilësoi këtë kërkesë si “absurde”, duke theksuar se mësues që kanë ushtruar profesionin për më shumë se një dekadë dhe kanë marrë tituj si “mësues i kualifikuar” apo “mësues specialist”, po detyrohen të rikthehen në faza bazë të certifikimit.
Në deklaratë ngrihen gjithashtu shqetësime për kriteret e reja për drejtuesit e shkollave, ku kërkohet përfundimi i studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite, një kusht që sipas saj pengon zhvillimin e karrierës së mësuesve, duke qenë se më parë këto programe ofroheshin me më pak kredite.
Sipas përfaqësueses së opozitës, këto politika përbëjnë një zhvlerësim të figurës së mësuesit dhe krijojnë barriera burokratike që dëmtojnë sistemin arsimor.
Në përfundim, Partia Demokratike i bën thirrje Ministrisë së Arsimit të ndalojë menjëherë, sipas saj, presionin ndaj mësuesve dhe të garantojë të drejtat e tyre të fituara për ushtrimin e profesionit.






