Finalizohet operacioni policor i koduar “Pajisjet”, i cili çoi në zbardhjen e plotë të vjedhjes së ndodhur katër ditë më parë në shkollën 9-vjeçare “Besëlidhja” në Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, policia identifikoi 6 autorët e dyshuar, të cilët kishin hyrë gjatë natës në ambientet e shkollës, duke dëmtuar dyert dhe duke vjedhur 19 pajisje elektronike, përfshirë laptopë, videoprojektorë dhe serverin qendror të kamerave të sigurisë.
Në kuadër të operacionit, u vu në pranga 22-vjeçari Arsel Brunga, i dyshuar si organizator i vjedhjes, ndërsa 5 bashkëpunëtorët e tij, të mitur të moshave 15-17 vjeç (3 prej tyre nxënës të kësaj shkolle), u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të datës 14 mars 2026. Autorët kanë hyrë në shkollë, kanë dëmtuar dyert dhe kanë marrë 16 laptopë, 2 videoprojektorë dhe serverin e kamerave. Më pas, pajisjet janë transportuar me automjetin tip “Volkswagen” të 22-vjeçarit dhe janë fshehur në bodrumin e një pallati në ndërtim si dhe në banesën e tij.
Policia arriti të gjejë dhe të sekuestrojë 16 prej pajisjeve të vjedhura, të cilat u rikuperuan si prova materiale, së bashku me automjetin e përdorur në krim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.





