Durrës / Tension mes Ramës dhe banorëve: “O hajdut pronash”

Durrës – Kryeministri Edi Rama u përball me tension të lartë gjatë një takimi me banorët e Durrësit, të prekur nga projekti TID, ku disa qytetarë i drejtoheshin me thirrjet “O hajdut! O hajdut pronash, Legen!”.

Takimi, që zgjati rreth dy orë e gjysmë në ambientet e Bashkisë Durrës, u shoqërua me debate të ashpra. Rama akuzoi protestuesit se vepronin me mbështetje politike, duke deklaruar:“Çfarë qytetarësh, ju jeni Partia Demokratike, këta janë qytetarët, unë ja ku jam me ta. Ju jeni PD. Unë me këta jam…”

Sipas kryeministrit, projekti TID do të vijojë pavarësisht kundërshtimeve, dhe prishja e disa objekteve është e pashmangshme.

Nga ana tjetër, banorët shprehen të pakënaqur dhe kërkojnë transparencë në trajtimin e pronave të tyre, duke theksuar se disa objekte me vlera historike dhe arkitekturore nuk janë përfshirë saktë në dokumentacionin e shpronësimit. Një nga përfaqësueset e banorëve deklaroi:“Na u tha qartë që projekti do të bëhet. Ne kërkuam rishikim për gabimet që kemi konstatuar, por përgjigjja ishte e prerë: do prishet çdo gjë. Janë këtu vetëm për të na ofruar alternativa çmimesh dhe strehimi.”

Sipas njoftimit të Bashkisë Durrës, banorëve u është kërkuar që të lirojnë vullnetarisht banesat deri më 16 shkurt për zbatimin e projektit.

Ngjarja jashtë bashkisë u shoqërua me protestë nga disa qytetarë, ndërsa tre prej tyre janë shoqëruar nga policia për thirrjet dhe shqetësimin e kryeministrit.

Banorët paralajmërojnë se do të vazhdojnë të kundërshtojnë projektin nëse vendimet e IKMT nuk anulohen në mënyrë urgjente, duke kërkuar mbrojtje të vlerave historike dhe trajtim të drejtë për pronat e tyre.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version