Deputetët e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho dhe Tedi Blushi, prezantuan sot në Komisionin e Jashtëm një nismë ligjore që synonte të garantonte analiza laboratorike për ndotësit ushqimorë dhe të forconte sigurinë e ushqimit për qytetarët shqiptarë.
Sipas deputetes Xhixho, rritja e rasteve të produkteve të kontaminuara me ndotës kimikë dhe biologjikë ka krijuar një situatë alarmante që kërkon ndërhyrje urgjente ligjore dhe institucionale. Ajo theksoi se produktet e refuzuara nga tregjet ndërkombëtare shpesh përfundojnë në tregun vendas, duke rritur rrezikun për shëndetin e konsumatorëve.
Në dy vitet e fundit, autoritetet raportuan dhjetëra raste të produkteve të rrezikshme:
Speca shqiptarë të refuzuar nga Kroacia për nivele të larta pesticide
Mandarinat e kontaminuara të refuzuara nga Bashkimi Europian që përfunduan në tregun vendas
Peshk me parazitin Anisakis
Mish derri dhe pule të kontaminuar me salmonelë
Akullore me oksid etileni me rrezik kancerogjen
Pjeshkë me nivele të larta nikel, dhe prani arseniku në bukë
Mykotoksina në ushqimin për kafshë dhe produktet e bulmetit
“Siguria ushqimore përbën një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së shëndetit publik dhe të sigurisë kombëtare. Çdo ditë, qytetarët shqiptarë ekspozohen ndaj rrezikut, ndërsa mekanizmat ekzistues të kontrollit dështojnë”, tha Xhixho gjatë prezantimit të projektligjit.
Megjithatë, nisma u rrëzua nga Partia Socialiste, me 8 vota kundër dhe vetëm 3 pro. Deputeti Tedi Blushi reagoi ashpër në rrjetet sociale, duke e quajtur këtë vendim “votë në favor të ushqimeve pa kontroll”:“Siguria ushqimore ndodhet në një alarm kombëtar, por Partia Socialiste votoi kundër mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve shqiptarë. Kjo është një votë që mbron interesat e importuesve abuzivë dhe jo interesin publik; lejon helmimin e përditshëm të qytetarëve dhe rrezikon veçanërisht shëndetin e fëmijëve. PS mban përgjegjësi të plotë politike dhe morale.”
Vendimi nxjerr në pah konfliktin politik mbi sigurinë ushqimore, ndërsa qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj produkteve të kontaminuara dhe skaduara që hyjnë në tregun shqiptar.






