Mësuesi i gjuhës angleze që u shkarkua nga detyra pasi dyshohet se predikonte fenë gjatë orëve të mësimit me nxënës të arsimit bazë në shkollën “Gustav Mayer” në Tiranë është Dritan Zaimi.
Sipas informacioneve të bëra publike, Zaimi aktualisht nuk ka telefon dhe nuk mundëson komunikim të drejtpërdrejtë, ndërsa të dhënat mbi profilin e tij profesional dhe personal vijnë kryesisht nga faqe dhe profile online të hapura vite më parë.
Dritan Zaimi ka lindur më 5 maj 1975 në Gramsh. Ai ka përfunduar shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Tiranë në vitin 1993, ndërsa në vitin 1997 është diplomuar si mësues i gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës. Në profilet e tij online prezantohet si një figurë me formim akademik në gjuhë të huaja, por edhe me një angazhim paralel në letërsi.
Sipas të njëjtave burime, Zaimi ka nisur të shkruajë poezi që në moshë të vogël dhe në vitin 2001 ka botuar përmbledhjen e tij të parë poetike me titull “Dhimbja”. Në krijimtarinë e tij letrare vërehet një theks i fortë në temat filozofike dhe shpirtërore, me simbolikë që lidhet me jetën, vdekjen dhe raportin e njeriut me të shenjtën.
Ndërkohë, sipas raportimeve, gjatë orëve të mësimit ai u shfaqte nxënësve video me përmbajtje fetare, i udhëzonte për urdhërimet e fesë dhe u jepte detyra me karakter fetar, duke ngritur dyshime se predikimi lidhej me Dëshmitarët e Jehovait.
Një nga vargjet e publikuara në poezitë e tij shkruan:
“Atë që s’e kuptojmë e quajmë budalla. Atë që s’na kupton përsëri e quajmë budalla.”
Rasti ka shkaktuar reagime të forta publike, duke hapur debat mbi ndarjen e arsimit nga feja, etikën profesionale të mësuesve dhe mbrojtjen e fëmijëve nga ndikimet ideologjike në shkollat publike.TCH






