Një sherr i dyshuar fillimisht si banal mes dy të burgosurve, një shqiptari dhe një greku, ka përfunduar në mënyrë tragjike me vrasjen e shqiptarit dhe plagosjen e lehtë të autorit, brenda ambienteve të burgut.
Sipas burimeve policore, viktima dhe autori janë përfshirë në një përplasje fizike për arsye ende të paqarta. Gjatë konfliktit, 28-vjeçari grek ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur disa herë shqiptarin, duke e lënë të vdekur në vend.
Viktima është identifikuar si Jani Aliaj, 49 vjeç, i cili ndodhej në burg për vrasje. Edhe autori rezulton person me rrezikshmëri të lartë, i dënuar po për vrasje, dhe është arrestuar menjëherë pas ngjarjes.
Autor i dyshuar vrasës me pagesë
Nga verifikimet rezulton se autori është i njëjti person që më 18 gusht 2025 ekzekutoi me armë zjarri Artur Bashimin, 47 vjeç nga Gjirokastra, në zonën e Agio Pantaleimonas në Greqi. Greku konsiderohet nga autoritetet si vrasës me pagesë.
Ngjarja e vitit 2025 dyshohet të ketë qenë akt hakmarrjeje për shkak të vëllait të viktimës, Marsel Bashimi, i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale në Greqi, përfshirë bashkëpunimin me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të kërkuar në Shqipëri për vrasjen e Komisar Artan Cukut.
Dyshime për porosi edhe brenda burgut
Policia greke nuk e përjashton pistën se edhe vrasja e Jani Aliajt është e porositur nga jashtë burgut dhe e paguar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota dhe zinxhirin e mundshëm kriminal pas krimit.
Ngjarja ka ngritur alarmin për sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe rolin e grupeve kriminale që dyshohet se vazhdojnë të veprojnë edhe nga brenda qelive.






