Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Brezi”, duke arrestuar një 53-vjeçar që qarkullonte i armatosur me armë zjarri në qytet.
Operacioni u zhvillua pas informacioneve operative se një shtetas lëvizte me automjet ndërsa mbante armë zjarri në brez. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës organizuan ndalimin e mjetit në lagjen nr. 6, në rrugën “Hysen Myshketa”.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti 53-vjeçarit I. D., banues në Sukth, një pistoletë tip Glock, e mbushur me municion luftarak. Arma, municioni dhe automjeti me të cilin qarkullonte u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Pas verifikimeve, shtetasi u arrestua në flagrancë për veprën penale:
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Durrësit deklaron se kontrollet ndaj armëmbajtësve pa leje do të vijojnë intensivisht për rritjen e sigurisë publike në qytet.






