Advertisement

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka mbledhur me urgjencë drejtuesit e Akademisë së Sigurisë për të analizuar situatën e krijuar pas rastit të dyshuar të helmimit të dhjetëra kursantëve.

Sipas informacioneve, Hita ka qenë në ambientet e Akademisë së Sigurisë edhe gjatë orëve të natës, menjëherë pasi një numër i madh studentësh u paraqitën në Repartin Infektiv të QSUT-së për të marrë ndihmë mjekësore.

Reklame

Burime bëjnë me dije se kreu i Policisë së Shtetit ka kërkuar një hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo personi që mund të ketë lidhje me incidentin.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh, pasi bëhet fjalë për rastin e dytë të dyshuar të helmimit në Akademinë e Sigurisë brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Dhjetëra kursantë shfaqën simptoma si të vjella, temperaturë, dhimbje barku dhe shqetësime të tjera shëndetësore pas konsumimit të ushqimit në mensën e institucionit, ndërsa një pjesë e tyre u transportuan drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për ndihmë mjekësore.

Autoritetet pritet të kryejnë analizat laboratorike dhe hetimet e nevojshme për të përcaktuar shkakun e episodit dhe për të sqaruar nëse simptomat e shfaqura lidhen me ushqimin e konsumuar apo me faktorë të tjerë.

Reklame